
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga Bashkimi Europian një qasje më të guximshme ndaj zgjerimit, gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin. Sipas tij, Europa ndodhet përballë një momenti historik të ngjashëm me atë të ribashkimit gjerman dhe ka nevojë për një “moment të ri Helmut Kohl”.
Rama theksoi se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet jashtë projekteve strategjike europiane, pavarësisht rolit të tij gjeografik dhe ekonomik. Ai argumentoi se korridoret energjetike, digjitale dhe të sigurisë kalojnë natyrshëm përmes rajonit dhe se integrimi gradual nuk duhet të shndërrohet në një pritje pa afat.
Duke folur për Shqipërinë, kryeministri deklaroi se vendi ka hapur të 33 kapitujt negociues më shpejt se çdo vend kandidat në historinë e zgjerimit dhe synon përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027, me objektivin për t’u bërë anëtar i plotë i BE-së para fundit të dekadës.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua inteligjencës artificiale dhe transformimit teknologjik. Rama tha se Shqipëria ka digjitalizuar 95% të shërbimeve publike dhe po integron inteligjencën artificiale në administratë, duke e konsideruar inovacionin si rrugën më të shpejtë për të kapërcyer hendekun mes periferisë dhe qendrës europiane.
Kreu i qeverisë ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e dezinformimit dhe algoritmeve në demokracitë moderne. Ai paralajmëroi se “gënjeshtrat udhëtojnë më shpejt se faktet” dhe kërkoi që Europa të ndërtojë jo vetëm mburoja ushtarake, por edhe mekanizma mbrojtës ndaj manipulimit të opinionit publik në epokën digjitale.
Në fund të fjalës së tij, Rama u shpreh se Shqipëria është gati të reformohet, të kontribuojë dhe të marrë përgjegjësitë e saj europiane, ndërsa shtroi pyetjen: “A është Europa gati për momentin e saj të ardhshëm Helmut Kohl?”.






