Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar për herë të parë largimin e deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar i PS-së.

I pyetur për vendimin e Koçekut për të vijuar mandatin si deputete e pavarur, Klosi tha se socialistët synojnë të rikuperojnë mbështetjen politike që është larguar nga grupi parlamentar.

“Ka një qëndrim publik të saj, me të cilin ka bërë të ditur largimin. Ne kemi nevojë të marrim atë votë që ka ikur nga grupi ynë parlamentar”, u shpreh Klosi.

Më herët, deputetja socialiste Ilva Gjuzi deklaroi se grupi parlamentar do të dalë me një qëndrim zyrtar për largimin e Koçekut. Sipas saj, kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, do të shprehë qëndrimin e socialistëve pas diskutimeve të zhvilluara në grup.

“Do të kemi një qëndrim si grup parlamentar. Kryetari i grupit do të dalë me një qëndrim të grupit për këtë çështje”, tha Gjuzi.

Marjana Koçeku njoftoi pak ditë më parë largimin nga grupi parlamentar i PS-së, duke vijuar mandatin si deputete e pavarur, një vendim që ka sjellë reagime dhe debat në politikën shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu