Një ndryshim i madh vjen për qytetarët shqiptarë në përdorimin e shërbimeve publike. Me versionin e ri Diella 4.0, e-Albania synon t’i japë fund kërkimit të ndërlikuar të shërbimeve dhe plotësimit manual të formularëve, duke i lejuar qytetarët të marrin dokumente vetëm duke komunikuar me inteligjencën artificiale.

“Diella, më bëj shërbimin!” Kjo komandë e thjeshtë mund të mjaftojë që asistenti digjital të nisë procedurën, të plotësojë formularët dhe të përgatisë dokumentin e kërkuar, pa pasur nevojë që qytetari të ndjekë vetë të gjithë hapat.

Funksionalitetet e reja u prezantuan gjatë një bisede të kryeministrit Edi Rama me drejtorin e Inteligjencës Artificiale në AKSHI, Enio Kaso, i cili demonstroi mënyrën se si funksionon Diella 4.0.

Nuk ke më nevojë të kërkosh shërbimin, Diella e bën vetë

Ndryshimi kryesor është se Diella nuk funksionon më vetëm si një asistente që u tregon qytetarëve ku të klikojnë.

Në versionin e ri, ajo vepron si një agjent digjital që kupton kërkesën e përdoruesit në gjuhën e përditshme dhe ndërmerr vetë veprimet për realizimin e saj.

Qytetari mund të shprehë nevojën e tij, ndërsa Diella identifikon shërbimin, hap aplikimin, plotëson të dhënat e nevojshme dhe vazhdon procedurën deri në gjenerimin e dokumentit.

“Pra tani jemi në fazën që kemi premtuar që Diella kalon në një pozicion shumë aktiv dhe i bën vetë gati gjërat, ndërkohë që mjafton kërkesa dhe të presësh pak minuta, maksimumi pak minuta, që të vijë gjithë shërbimi”, deklaroi Rama.

Lajm i mirë për pensionistët, 19 shërbime vetëm me zë

Një nga risitë më të rëndësishme lidhet me pensionistët, të cilët shpesh hasin vështirësi në përdorimin e platformave digjitale.

Sipas prezantimit, 19 shërbime të përdorura prej tyre mund të gjenerohen vetëm përmes një komande zanore, pa pyetje shtesë dhe pa plotësim manual formularësh.

“Diella është vetëm një klik larg, kurse 19 shërbime gjenerohen vetëm me një komandë zanore, pa asnjë lloj pyetje apo përgjigje”, shpjegoi Enio Kaso.

Për shërbimet e tjera, asistenti digjital do t’i kërkojë qytetarit vetëm informacionet plotësuese që nevojiten për përfundimin e aplikimit.

Hyrje me njohjen e fytyrës, pa shkruar fjalëkalimin çdo herë

Diella 4.0 sjell edhe mundësinë e identifikimit biometrik përmes njohjes së fytyrës, të njohur si Face ID.

Pas regjistrimit dhe aktivizimit fillestar të funksionit, përdoruesit mund të hyjnë në aplikacion përmes identifikimit biometrik, pa pasur nevojë të shkruajnë vazhdimisht emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin.

Kjo risi synon të lehtësojë veçanërisht përdorimin e e-Albania nga personat që nuk janë familjarizuar me teknologjinë.

Rama: Ju prisni, Diella punon për ju

Në përfundim të demonstrimit, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të shkarkojnë aplikacionin dhe të njihen me funksionalitetet e reja.

“Prezantohuni me fuqitë e reja të Diellës, shkarkoni aplikacionin dhe e keni e-Albanian totalisht në shërbimin tuaj, jo thjesht përmes gjithë hapave që ju ndiqni deri tani, por me një komandë të thjeshtë; ‘Diella më bëj shërbimin’ edhe në pritje aty, duke dëgjuar muzikë, duke biseduar me kë jeni rreth e rrotull, Diella punon edhe ju keni shërbimin”, u shpreh Rama.

Me versionin 4.0, qeveria synon të ndryshojë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me administratën, duke kaluar nga aplikimet tradicionale në një sistem ku inteligjenca artificiale mund të realizojë drejtpërdrejt procedurat.

Në vend që qytetari të kërkojë shërbimin dhe të plotësojë formularët, tashmë synohet që t’i tregojë Diellës çfarë i nevojitet dhe ajo të kryejë punën për të.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu