
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës. Në letrën drejtuar kryeministrit Albin Kurti, ai e cilëson largimin si një akt përgjegjësie morale dhe institucionale, duke theksuar se interesi i shtetit dhe besimi i qytetarëve qëndrojnë mbi çdo funksion.
“Duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”, shkruan Hoxha.
Në arsyetimin e vendimit, ai nënvizon se përgjegjësia e drejtuesit nuk kufizohet te veprimet individuale, por përfshin edhe garantimin e ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit të institucionit. Sipas tij, asnjë pozitë nuk qëndron mbi shtetin dhe asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve.
Hoxha e cilëson dhunën në familje një fenomen thellësisht shqetësues dhe kërkon një bashkërendim më të mirë mes Policisë, Prokurorisë, gjykatave, shërbimeve sociale dhe organizatave joqeveritare.
Në letrën e dorëheqjes, ai paraqet edhe bilancin e drejtimit të Policisë së Kosovës që prej marsit të vitit 2023. Mes angazhimeve kryesore përmend operacionet në veri, përballimin e situatave të sigurisë në Zveçan e Banjskë dhe hetimin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, nga viti 2023 deri më 30 tetor 2026 janë iniciuar 66 kallëzime penale ndaj 745 personave të dyshuar për krime lufte dhe janë arrestuar 62 persona. Gjatë hetimeve janë gjetur edhe 62 trupa dhe 14 pjesë kockore.
Në luftën kundër fajdesë, Hoxha raporton 79 të arrestuar që prej ngritjes së ekipit të posaçëm hetimor në maj 2024. Në kuadër të 40 operacioneve janë kontrolluar rreth 90 objekte, ndërsa vlera e automjeteve, parave dhe pasurive të tjera të sekuestruara llogaritet në rreth tetë milionë euro.
Për rastet “White Star” dhe “Skyecc”, ai bën të ditur se janë arrestuar 37 persona dhe se vlera e përgjithshme e sekuestrimeve, konfiskimeve dhe ngrirjeve të pronave e llogarive bankare arrin në afro 54 milionë euro.






