
Bashkia e Tiranës do të hapë së shpejti fazën e dytë të aplikimeve për kreditë e buta, ndërsa ka bërë të ditur procedurat që duhet të ndjekin qytetarët për të përfituar nga ky program.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, tha se zgjatja e afatit të aplikimit ka sjellë rritje të numrit të familjeve përfituese.
Sipas saj, në fazën e parë janë regjistruar gjithsej 4.409 aplikime, ndërsa fituese janë shpallur 2.871 familje.
“Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të ankimimeve të fazës së parë. Sipas afateve, do të shpallet lista përfundimtare e aplikantëve fitues dhe jofitues, në përputhje me rezultatet e ankimimeve. Paralelisht do të hapet edhe thirrja për fazën e dytë të kredive”, deklaroi Ristani.
Ajo sqaroi se dokumentacioni për fazën e dytë mund të dorëzohet pranë sporteleve të pritjes me qytetarin ose përmes Postës Shqiptare.
Bashkia e Tiranës do të publikojë një njoftim të ri me të gjitha detajet e fazës së dytë, ku do të përcaktohen edhe afatet e aplikimit. Sipas njoftimit, dorëzimi i dokumentacionit do të pranohet deri më 31 korrik 2026.
Programi i kredive të buta synon të mbështesë familjet që kanë nevojë për strehim, duke u krijuar mundësinë të përfitojnë financim me kushte më të favorshme për blerjen e një banese.






