
Burri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, dyshohet se kishte rënë nga anija turistike Ovation of the Seas, pjesë e kompanisë Royal Caribbean.
Ai u zbulua rastësisht nga dy peshkatarë pranë ishullit Catalina, rreth 32 kilometra larg bregdetit amerikan, ndërsa përpiqej të qëndronte mbi sipërfaqen e ujit.
“Ndaloni anijen! Është një njeri në det!”
Grant Garrett dhe Sean Norton po peshkonin në Paqësor të premten, kur vunë re diçka të pazakontë mes dallgëve.
Fillimisht nuk arrinin të dallonin se çfarë ishte, por kur u afruan kuptuan se bëhej fjalë për një njeri që po luftonte për të mbijetuar.
“Thashë: Po, është një njeri! Ndaloni anijen, të mbledhim të gjitha fijet e peshkimit”, tregoi Garrett për CBS News.
Dy peshkatarët ndërprenë menjëherë aktivitetin dhe iu afruan burrit për ta nxjerrë nga uji.
Ai ishte i vetëdijshëm, por i rraskapitur nga qëndrimi i gjatë në oqean.
“Faleminderit, mendova se do të vdisja”
Sean Norton tregoi se fjalët e para të burrit pasi u shpëtua ishin tronditëse.
“E vetmja gjë që më tha ishte: Faleminderit. Mendova se do të vdisja”, rrëfeu peshkatari.
I mbijetuari u identifikua si pianist i anijes turistike Ovation of the Seas, një mjet gjigant lundrues me 14 kuverta.
Sipas autoriteteve të shpëtimit, ai mund të ketë rënë nga anija rreth orës 02:30 të mëngjesit.
Peshkatarët e gjetën afërsisht nëntë orë më vonë, në një zonë që ndodhej 15 deri në 20 milje larg bregut.
Roja Bregdetare amerikane konfirmoi se kishte marrë njoftim nga qytetarët që kishin shpëtuar një person të vetëdijshëm nga uji.
Më pas, burri iu dorëzua ekipeve të shpëtimit të Newport Beach dhe u transportua në spital në gjendje të qëndrueshme.
Fenomeni El Niño mund t’i ketë shpëtuar jetën
Një nga faktorët që mund të ketë ndihmuar pianistin të mbijetojë për kaq shumë orë në oqean është temperatura jashtëzakonisht e lartë e ujit.
Sipas peshkatarëve, temperatura e detit ishte rreth 24 gradë Celsius, shumë më e ngrohtë se zakonisht për atë zonë.
“Kemi një vit të jashtëzakonshëm me super El Niño. Ky njeri ka qëndruar në ujë ndoshta dhjetë orë, por temperatura ishte 76 gradë Fahrenheit”, shpjegoi Norton.
“Në një vit tjetër, nuk do t’ia kishte dalë”, shtoi ai.
Sipas shkencëtarëve që monitorojnë Paqësorin, fenomeni El Niño është zhvilluar në intensitet rekord, me temperatura të oqeanit rreth 3.05 gradë Celsius mbi mesataren.
Uji relativisht i ngrohtë mund të ketë ulur rrezikun e hipotermisë gjatë qëndrimit të gjatë në det.
Royal Caribbean reagon, nisin hetimet
Kompania Royal Caribbean konfirmoi për BBC se personi i shpëtuar është një anëtar i ekuipazhit të saj.
“Po i ofrojmë mbështetje dhe ndihmë punonjësit tonë gjatë kësaj periudhe të vështirë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.
Për të respektuar privatësinë e tij, kompania nuk dha informacione të tjera.
Ndërkohë, Roja Bregdetare amerikane ka nisur hetimet për të zbuluar se si pianisti përfundoi në oqean dhe cilat ishin rrethanat e rënies nga anija.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një aksident apo për rrethana të tjera.
Ajo që dihet është se një takim krejt rastësor me dy peshkatarë i shpëtoi jetën një njeriu që kishte kaluar pothuajse një natë të tërë i vetëm në mes të Paqësorit.






