Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ku një elektricist 34-vjeçar ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike gjatë riparimit të një defekti.

Viktima është shtetasi A. N., me detyrë elektricist i zonës, i cili ishte thirrur jashtë orarit të punës nga disa familje që kishin mbetur pa energji elektrike.

Sipas informacionit paraprak të policisë, 34-vjeçari kishte shkuar për të ndërhyrë në një shtyllë elektrike, me qëllim riparimin e defektit.

Gjatë punës, dyshohet se ai ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, duke pësuar pasoja fatale.

Rreth orës 20:36, elektricisti është transportuar në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës, por ka mbërritur pa shenja jete.

Një detaj që po verifikohet nga autoritetet është fakti se ndërhyrja ishte kryer jashtë orarit të punës dhe pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.

Vdekja e 34-vjeçarit në Shkodër i shtohet bilancit të rëndë të aksidenteve fatale në sektorin elektrik. Sipas.mediave deri më 6 nëntor të këtij viti kishin humbur jetën nëntë elektricistë. Vetëm gjatë ditëve të fundit, më 6 nëntor, humbi jetën 45-vjeçari Altin Petanaj në Kocul të Vlorës, ndërsa një ditë më parë Lulzim Shehu u zu poshtë nga një shtyllë elektrike në Kala të Dodës. Në shtator humbën jetën edhe Klajdi Zekthi në Belsh dhe Ermal Dëbrova në Patos. Me rastin e fundit në Shkodër, numri i viktimave të raportuara gjatë vitit arrin në të paktën dhjetë, duke ngritur sërish pikëpyetje për respektimin e protokolleve të sigurisë gjatë ndërhyrjeve në rrjetin elektrik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu