
Besimtarët bektashinj kremtuan këtë të premte Festën e Ashures, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit shpirtëror të këtij komuniteti, e cila simbolizon sakrificën, drejtësinë dhe reflektimin fetar.
Ceremonia u zhvillua në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj (Baba Mondi), përcolli një mesazh paqeje, solidariteti dhe bashkimi.
“Le të mbështesim njëri-tjetrin dhe të ruajmë vlerat e familjes dhe besimit. Lutjet tona shkojnë për ata që vuajnë nga luftërat. Sot njerëzimi ka nevojë për më shumë paqe dhe dhembshuri. Zoti i ndriçoftë zemrat me urtësi dhe të forcojë frymën e vëllazërisë mes kombeve. Zoti na bekoftë të gjithëve, amin”, u shpreh Baba Mondi.
Festa e Ashures lidhet me martirizimin e Imam Husejnit në betejën e Qerbelasë rreth 1.400 vite më parë, së bashku me ndjekësit e tij. Për besimtarët bektashinj, kjo ngjarje përfaqëson sakrificën për drejtësinë, të vërtetën dhe mbrojtjen e vlerave njerëzore.
Me rastin e kësaj dite të shenjtë, në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane u zhvillua edhe një ceremoni përkujtimore në nderim të 72 dëshmorëve të Qerbelasë, ku u përcollën mesazhe për paqe, tolerancë, besim dhe bashkëjetesë mes popujve.






