
Dy nga sulmuesit më të mirë të futbollit botëror do të përballen këtë të premte në Kupën e Botës 2026, teksa Franca e Kylian Mbappé do të sfidojë Norvegjinë e Erling Haaland në një ndeshje që pritet të vendosë vendin e parë në Grupin I.
Të dyja kombëtaret kanë siguruar tashmë kualifikimin për në fazën me eliminim direkt, por përballja mbetet shumë e rëndësishme, pasi fituesi do të ketë teorikisht një rrugë më të favorshme drejt fazave finale të turneut.
Mbappé dhe Haaland janë protagonistët absolutë të këtij Botërori. Të dy kanë realizuar nga katër gola në dy ndeshjet e para, ndërsa vetëm Lionel Messi, me pesë gola, i paraprin në garën për “Këpucën e Artë”.
Statistikat tregojnë ndikimin e jashtëzakonshëm të dy sulmuesve në kombëtaret respektive. Që nga gushti i vitit 2022, Franca ka fituar rreth 70% të ndeshjeve me Mbappén në fushë, kundrejt vetëm 50% kur ai mungon. Po ashtu, “Les Bleus” shënojnë mesatarisht më shumë gola kur kapiteni i tyre luan.
Edhe më i madh është ndikimi i Haaland te Norvegjia. Kombëtarja nordike ka fituar afro 65% të ndeshjeve me sulmuesin në formacion, ndërsa pa të kjo përqindje bie në rreth 33%.
Haaland po luan Kupën e tij të parë të Botës dhe ka hyrë menjëherë në histori, duke u bërë vetëm lojtari i dytë në 50 vitet e fundit që shënon nga dy gola në secilën prej dy ndeshjeve të para të Botërorit. Për më tepër, ai ka realizuar gol në 12 ndeshje zyrtare radhazi me Norvegjinë dhe numëron 59 gola në vetëm 52 paraqitje me kombëtaren.
Nga ana tjetër, Mbappé ka arritur në kuotën e 60 golave në 100 ndeshje me Francën dhe është gjithnjë e më pranë rekordeve historike të Kupës së Botës, falë 16 golave të shënuar në vetëm 16 ndeshje në këtë kompeticion.
Për sa i përket stilit të lojës, francezi spikat për shpejtësinë, driblimet dhe krijimin e rasteve për skuadrën, ndërsa Haaland mbetet një “makinë golash” brenda zonës, me një efikasitet më të lartë në finalizim.
Sfida Francë-Norvegji pritet të jetë një nga ndeshjet më spektakolare të fazës së grupeve, me vëmendjen e tifozëve të përqendruar te dueli mes dy prej sulmuesve më të mëdhenj të futbollit modern.






