
Detaje të reja tronditëse janë zbuluar nga dosja e Prokurorisë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë. Sipas hetuesve, 49-vjeçarja dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj, në shenjë hakmarrjeje pasi kishte denoncuar dhunën e ish-bashkëshortit. Ndërkohë, qindra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë, duke kërkuar dorëheqjen e ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla, si dhe ndëshkimin e zyrtarëve që mund të kenë dështuar në mbrojtjen e viktimës.
Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar një muaj paraburgim për Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e rëndë të Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Vitomiricë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO dhe të raportuar nga mediat kosovare, krimi dyshohet se është kryer për hakmarrje ndaj viktimës, e cila kishte raportuar në polici dhunën e ushtruar nga ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, vëllai i të dyshuarit për vrasjen.
U kthye nga policia, pak më vonë u vra në dhomën e gjumit
Dosja përshkruan se më 25 tetor, Arlinda Zekaj ishte paraqitur në stacionin policor të Pejës, ku kishte denoncuar dhunën në familje.
Pas denoncimit, ish-bashkëshorti i saj u ndalua nga policia.
Sipas versionit të Prokurorisë, Albert Sylaj, i zemëruar për ndalimin e vëllait, ka marrë një sëpatë dhe ka hyrë në dhomën e gjumit të viktimës, pasi ajo ishte kthyer në banesë.
Arlinda dyshohet se ka tentuar të fshihej pas derës për t’i shpëtuar sulmit, por agresori e ka goditur disa herë, kryesisht në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Rreth orës 19:00 ajo kishte raportuar dhunën në polici, ndërsa rreth orës 21:10 autoritetet morën njoftimin se ishte vrarë.
E kishte kërcënuar edhe tri ditë para vrasjes
Dokumentacioni dhe raportimet mbi hetimet tregojnë se më 22 tetor, tri ditë përpara krimit, Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndërhyrjen e policisë për një konflikt që lidhej me banesën dhe kujdestarinë e fëmijës.
Në shtëpi ndodheshin familjarë të ish-bashkëshortit, mes tyre edhe Albert Sylaj, që më pas u shpall i dyshuar për vrasjen e saj.
Sipas deklarimit që viktima kishte dhënë në polici, Albert Sylaj e kishte kërcënuar me fjalët: “Largomu, largomu se t’mys”.
Megjithatë, këto paralajmërime nuk arritën të parandalonin tragjedinë.
Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria argumentoi se ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët, fshehjes së provave dhe përsëritjes së veprës penale.
Sipas organit të akuzës, i dyshuari kishte edhe katër dënime të mëparshme të formës së prerë.
Albert Sylaj u arrestua në Deçan mbrëmjen e 27 tetorit, pas dy ditësh në arrati. Ai mbetet i dyshuar dhe përgjegjësia e tij penale duhet të përcaktohet nga gjykata.
Protestë në Prishtinë: Kërkohen dorëheqjet e Gërvallës dhe Sveçlës
Ndërsa dalin detaje të reja për krimin, qindra qytetarë kanë marshuar në Prishtinë nën moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe vijoi drejt institucioneve të drejtësisë, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Në marshim morën pjesë edhe familjarë të Arlinda Zekajt.
Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe hetimin e përgjegjësisë së zyrtarëve që kishin trajtuar denoncimet e viktimës.
Përpara institucioneve u hodhën mjete piroteknike dhe ngjyrë e kuqe, ndërsa në dyert e ndërtesës së Qeverisë u shkruan mesazhe të marra nga letrat e Arlindës.
Njëri prej tyre ishte: “Tani po kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”.
Liridona Sijarina, përfaqësuese e Kolektivit, paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë derisa institucionet të japin përgjigje dhe të marrin masa.
“Arlinda na ka lënë amanet, e ai amanet është që këta njerëz mos me mujt me bë gjumin rehat”, deklaroi ajo.
Organizatorët u kanë kërkuar institucioneve nisjen e hetimeve dhe shkarkimin e zyrtarëve përgjegjës, duke paralajmëruar vijimin e mobilizimit në ditët e ardhshme.
Një vrasje e paralajmëruar që ngre pikëpyetje për institucionet
Vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar zemërim të madh në Kosovë, veçanërisht pas publikimit të letrave dhe denoncimeve me të cilat ajo kishte kërkuar ndihmë.
Kronologjia e re e Prokurorisë tregon se viktima kishte kontaktuar disa herë institucionet dhe kishte raportuar kërcënime përpara se të humbiste jetën.
Hetimet pritet të përcaktojnë jo vetëm përgjegjësinë penale për vrasjen, por edhe nëse veprimet apo mosveprimet e institucioneve kanë cenuar mbrojtjen që duhej t’i garantohej Arlinda Zekajt.





