Biznesmeni shqiptar Samir Mane ka njoftuar një tjetër investim në tregun gjerman të pasurive të paluajtshme. Grupi BALFIN ka blerë ndërtesën e njohur të qendrës tregtare Galeria Kaufhof në qytetin e Bonit, një pronë me sipërfaqe prej 23.300 metrash katrorë, e vendosur në një nga zonat më të rëndësishme tregtare të qytetit.

Njoftimin Mane e ka bërë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke përdorur një lojë fjalësh që lidh tri emra: “Bonn, Beethoven, Balfin”.

Boni, ish-kryeqyteti i Gjermanisë Perëndimore dhe vendlindja e kompozitorit të famshëm Ludwig van Beethoven, bëhet kështu pjesë e portofolit të investimeve të grupit shqiptar.

Ndërtesa e blerë ndodhet në qendër të qytetit, në rrugën Remigiusstraße, dhe është një prej pronave të njohura të sektorit tregtar gjerman.

Blerja e saj përfaqëson një tjetër hap në zgjerimin e BALFIN në Europën Perëndimore, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme për përdorim tregtar.

Investimi në Bon vjen pas blerjes së mëparshme të ndërtesës historike Tietz në Mynih, ndërsa mediat gjermane kishin raportuar që në shtator se grupi i Samir Manes ishte përfshirë në negociata për disa prona të rrjetit Galeria.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Samir Mane (@samirmane_official)

Revista e specializuar gjermane Immobilien Zeitung kishte raportuar se BALFIN kishte siguruar marrëveshje për objekte tregtare në Bon dhe Hanover, të lidhura me portofolin e ish-grupit austriak Signa.

Falimentimi i këtij grupi ka nxjerrë në shitje një numër pronash të rëndësishme në qytete të mëdha gjermane, duke krijuar mundësi për investitorë të rinj.

Njoftimi i 27 tetorit konfirmon blerjen e ndërtesës në Bon, ndërsa për objektin në Hanover mediat gjermane kanë raportuar gjithashtu zhvillime të avancuara të transaksionit.

Vlera financiare e blerjes në Bon nuk është bërë publike, as planet konkrete për shfrytëzimin ose rizhvillimin e ndërtesës.

Në reagimin e tij, Mane ka paralajmëruar se zgjerimi në Gjermani mund të vijojë me investime të tjera.

“Qëndroni me ne për të tjera zhvillime të reja teksa zgjerohemi në një prej kombeve më të mëdha në tokë”, është shprehur biznesmeni.

Grupi BALFIN, i cili ka zhvilluar aktivitetin e tij në sektorë si tregtia me pakicë, pasuritë e paluajtshme, turizmi dhe shërbimet financiare, ka zgjeruar gjatë viteve të fundit praninë në tregjet ndërkombëtare.

Me investimet në Mynih dhe Bon, grupi shqiptar po forcon pozicionin e tij në tregun gjerman të pronave tregtare, duke u përqendruar te ndërtesat me sipërfaqe të mëdha dhe vendndodhje qendrore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu