Qytetarët shqiptarë që blejnë në platformën ndërkombëtare Temu po përballen me një tarifë shtesë prej 20% në momentin e pagesës. Tarifa shfaqet si “Import Taxes & Fees”, ndërsa përfaqësuesit e kompanisë e justifikojnë me ndryshime në legjislacionin shqiptar, por nuk janë në gjendje të identifikojnë ligjin konkret.

Nga verifikimi i kryer përmes një porosie në Temu rezulton se çmimi i shfaqur në shportën e blerjeve ndryshon ndjeshëm në momentin kur klienti kalon në fazën përfundimtare të pagesës.

Në një rast konkret, për një porosi me vlerë 4,512 lekë pas aplikimit të zbritjeve, platforma shton 903 lekë si taksa dhe tarifa importi. Në një porosi tjetër, me vlerë 3,236 lekë, tarifa shtesë arrin në 648 lekë.

Në të dyja rastet, shuma e shtuar përfaqëson praktikisht 20% të vlerës së produkteve pas zbritjeve dhe përpara përdorimit të kreditit të klientit.

Por pse kjo tarifë po shfaqet tani, kur më parë klientët shqiptarë kanë kryer blerje në të njëjtën platformë pa u përballur me të?

Në komunikimin me shërbimin zyrtar të klientit, përfaqësuesja e Temu konfirmoi se bëhet fjalë për një praktikë të re, duke e lidhur atë me ligjet dhe rregulloret shqiptare.

Sipas saj, taksat e importit përfshihen tashmë në pagesën përfundimtare, në mënyrë që klientët të mos paguajnë detyrime të tjera gjatë procesit doganor.

Megjithatë, kur iu kërkua të identifikonte ligjin shqiptar, numrin dhe datën e hyrjes së tij në fuqi, përfaqësuesja e platformës pranoi se nuk mund ta jepte këtë informacion.

“Fatkeqësisht, nuk jemi në gjendje të japim ligjin e saktë shqiptar, përfshirë numrin dhe datën e hyrjes në fuqi, që kërkon nga Temu të aplikojë këto taksa dhe tarifa të reja importi”, thuhet në përgjigjen e shërbimit të klientit.

Përfaqësuesja njoftoi se shqetësimi i ishte përcjellë një përgjegjësi për trajtim të mëtejshëm.

Në sqarimin e publikuar brenda aplikacionit, Temu shprehet se tarifa përfshin Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, në përputhje me legjislacionin vendas, si dhe kostot e nevojshme administrative të platformës.

Megjithatë, kompania nuk specifikon se çfarë pjese e shumës përfaqëson TVSH dhe çfarë pjese përbëhet nga tarifat administrative.

Në Shqipëri, norma standarde e TVSH-së është 20%, ndërsa legjislacioni doganor parashikon rregulla të veçanta për përjashtimin nga detyrimet e importit të dërgesave me vlerë të vogël.

Mbetet e paqartë nëse Temu ka ndryshuar politikën e vet të mbledhjes së TVSH-së dhe tarifave të importit, apo nëse ka hyrë në fuqi ndonjë detyrim i ri që prek blerjet online nga Shqipëria.

Fakti që platforma nuk ka identifikuar bazën konkrete ligjore ngre pikëpyetje mbi transparencën e tarifimit dhe mënyrën se si konsumatorët informohen për çmimin përfundimtar të produkteve.

Për sqarimin e situatës nevojitet një qëndrim zyrtar nga administrata doganore dhe tatimore shqiptare, si dhe nga vetë kompania Temu, mbi bazën ligjore, mënyrën e llogaritjes dhe datën e fillimit të aplikimit të kësaj tarife.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu