
Satirë politike | AIA.al
Elisa Spiropali ka vendosur se politika shqiptare është tepër e vogël për ta shpjeguar. Prandaj ka kaluar në mitologji: po i preve një kokë, i dalin shtatë. Me këtë ritëm, mbledhja e ardhshme do të ketë problem numërimin e pjesëmarrësve.
Në statusin e saj ka vend për gjithçka: Perandoreshën e Kinës, Kleopatrën, devenë, ariun, dhinë dhe mushkën. Një autobiografi që nis si deklaratë politike dhe përfundon si enciklopedi me ilustrime.
Kolltuku, na siguron, nuk i bën asnjë përshtypje. Për ta shpjeguar këtë mospërfillje, mobilizon shtatë koka, një Mur Kinez dhe dhjetë milionë zemra. Përfytyroni çfarë statusi do të shkruante po t’i kishte mbetur merak!
Pastaj vjen pjesa meteorologjike: fryn erën, sjell shiun, lëshon breshërin, ngre cunamin, than detet dhe rrafshon malet. Pas kësaj, parashikimi i motit duhet të nisë me pyetjen: “Si është zgjuar Elisa sot?”
Mes gjithë këtyre fuqive, mbetet një pyetje fare tokësore. Kur denoncon njerëz që paraqiten si europianë, por sipas saj janë tiranë, kujt i drejtohet dhe për çfarë konkretisht? Emrat dhe faktet do të kishin më shumë peshë se shtatë koka bashkë.
Shqiptarëve u premton dhjetë milionë zemra. Për fillim, do t’u mjaftonte një shpjegim i qartë.






