Editorial nga AIA.al

Pamjet e largimit të Jakup Krasniqit nga familja prekin diçka shumë më të madhe se fatin e një njeriu. Prekin kujtesën e Kosovës, luftën për liri dhe dinjitetin e një brezi që përjetoi shtypjen, burgun dhe luftën për të pasur një shtet.

Krasniqi u kthye për pak ditë pranë bashkëshortes së sëmurë me metastaza tumori në tru. U largua duke i dhënë lamtumirën, sërish nën eskortë, ndërsa i vëllai e përshëndeste nga ballkoni.

Kjo është një vuajtje e shtuar pa kuptim: një familje që përballon sëmundjen dhe ndarjen, e rrethuar nga një demonstrim force, domosdoshmëria e të cilit kërkon shpjegim.

Si redaksi e AIA.al, jemi në krah të Kosovës dhe të trashëgimisë së luftës së saj për liri. Përgjegjësitë individuale duhen shqyrtuar me prova, duke respektuar edhe të drejtën e viktimave për drejtësi. Por asnjë proces individual nuk mund të përdoret për t’i vënë damkën një populli apo për ta paraqitur çlirimin e tij si faj.

Drejtësia duhet të ketë forcën për të gjykuar dhe njerëzinë për të mos shtuar vuajtje të panevojshme. Autoriteti i saj nuk matet me numrin e armëve përreth një shtëpie.

Sot, përballë familjes Krasniqi, kjo njerëzi u duk e vogël. Dhe dhimbja, tepër e madhe.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu