Lara Colturi ka arritur fitoren e parë të karrierës në Kupën e Botës, duke i dhuruar Shqipërisë triumfin e parë në këtë kompeticion të skive alpine. Skiatorja 20-vjeçare fitoi këtë të shtunë slalomin e Gurglit, në Austri, pas nëntë podiumeve të mëparshme.

E dyta pas zbritjes së parë, Colturi përmbysi renditjen me një paraqitje vendimtare në të dytën. Ajo përfundoi me kohën e përgjithshme 1 minutë e 45.47 sekonda, duke lënë pas suedezet Sara Hector dhe Anna Swenn Larsson, përkatësisht me 27 dhe 30 të qindtat.

“Nuk mundem as të marr frymë për të folur. Më duket joreale”, tha Lara pas triumfit.

Pas suksesit qëndron edhe familja e saj. Nëna, Daniela Ceccarelli, kampione olimpike në vitin 2002, dhe babai janë trajnerët që e kanë shoqëruar në rrugëtimin sportiv nën flamurin shqiptar.

Fitorja në Gurgl e ngjit Colturin në krye të renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës dhe të slalomit, duke e kthyer këtë ditë në një moment historik për sportin shqiptar.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu