
Bashkia e Tiranës i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pasi ai paralajmëroi ndëshkim politik për drejtuesit që, sipas tij, zbatojnë porosi për largime arbitrare nga puna.
Në Asamblenë e PS-së, Rama pretendoi se punonjës të bashkisë largohen sepse nuk mbështesin publikisht Erion Veliajn apo nuk pëlqejnë dhe shpërndajnë postimet e tij. Ai deklaroi se goditja e punonjësve për këto motive nuk do të tolerohet dhe se përgjegjësit do të gjykohen me ashpërsi politike.
Bashkia reagoi duke e cilësuar këtë qëndrim si presion publik mbi administratën dhe ndërhyrje në kompetencat e kryetarit të zgjedhur.
“Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se emërimet dhe shkarkimet bëhen sipas ligjit.
Institucioni shprehu gjithashtu shqetësimin se masa e sigurisë ndaj Veliajt po shfrytëzohet për të dobësuar autoritetin e tij dhe për të imponuar kontroll politik mbi bashkinë.
Në përfundim, Bashkia kërkoi ndërprerjen e ndërhyrjeve dhe respektimin e autonomisë vendore, duke deklaruar se do t’u shërbejë zgjedhësve të saj.






