
Francesco Schettino, ish-kapiteni i anijes turistike Costa Concordia, fundosja e së cilës shkaktoi vdekjen e 32 personave në vitin 2012, është liruar nga burgu pas më shumë se nëntë vitesh. Ai do ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit jashtë qelisë, nën mbikëqyrjen e shërbimeve sociale.
Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, 66-vjeçari doli nga burgu Rebibbia i Romës rreth orës 20:00 të së premtes, 20 nëntor, pasi drejtësia italiane miratoi kërkesën e tij për një masë alternative të ekzekutimit të dënimit.
Schettino ishte dënuar me 16 vite burg për tragjedinë e 13 janarit 2012, kur anija gjigante Costa Concordia u përplas me shkëmbinjtë pranë ishullit Giglio, në Itali.
Në bordin e saj ndodheshin rreth 4.200 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Aksidenti shkaktoi 32 viktima dhe u shndërrua në një nga tragjeditë më të rënda detare në historinë moderne italiane.
Hetimet zbuluan se kapiteni kishte urdhëruar afrimin e anijes pranë ishullit për të kryer manovrën e njohur si “inchino”, një përshëndetje simbolike nga deti. Por anija goditi shkëmbinjtë, duke pësuar një çarje të madhe në trup dhe duke u fundosur brenda disa orësh.
Schettino u bë i njohur ndërkombëtarisht edhe për faktin se braktisi anijen gjatë emergjencës, ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdonin.
Në kujtesën publike mbeti urdhri i kapitenit të portit të Livornos, Gregorio De Falco, i cili i kërkoi me forcë të kthehej në bord dhe të ndihmonte në evakuimin e pasagjerëve.
Në shkurt të vitit 2015, gjykata e Grossetos e dënoi Schettinon me 16 vite burg: 10 vite për vrasje dhe plagosje nga pakujdesia, pesë vite për shkaktimin e fundosjes së anijes dhe një vit për braktisjen e saj.
Vendimi u konfirmua përfundimisht nga Gjykata e Kasacionit në maj të vitit 2017, kur ish-kapiteni nisi vuajtjen e dënimit

Tashmë, pas nëntë vitesh e gjysmë në burg, Schettino do të jetojë në rajonin e Campanias, ku do të punojë si nëpunës në një kompani private dhe do të kryejë gjithashtu aktivitete vullnetare në kuadër të shërbimeve sociale.
Ai do të ketë kufizime të lëvizjes dhe nuk do të lejohet të largohet nga banesa nga ora 22:00 deri në 06:00.
Sipas avokates së tij, Francesca Carnicelli, vendimi është rezultat i sjelljes së mirë gjatë burgimit dhe i vlerësimit pozitiv të procesit të rehabilitimit.
Legjislacioni italian parashikon ulje të dënimit me 45 ditë për çdo gjashtë muaj sjelljeje të mirë. Falë këtyre përfitimeve, Schettino pritet ta përfundojë plotësisht dënimin në korrik të vitit 2030, rreth dy vite përpara afatit të mëparshëm.
Në prill të vitit 2025, ai kishte hequr dorë nga një kërkesë për gjysmëliri, masë që do ta detyronte të rikthehej çdo natë në burg.
Vendimi i ri i jep më shumë liri lëvizjeje, por nuk nënkupton shuarjen e dënimit. Ish-kapiteni mbetet nën kontrollin e autoriteteve dhe duhet të respektojë detyrimet e vendosura nga drejtësia italiane.
Lirimi i tij rikthen në vëmendje tragjedinë e Costa Concordia, e cila vazhdon të mbetet simbol i pasojave fatale që mund të sjellin shkeljet e rregullave të sigurisë detare.






