Vala e të nxehtit do të vazhdojë të mbajë Shqipërinë nën temperatura të larta edhe gjatë dhjetëditëshit të fundit të gushtit, ndërsa e diela pritet të jetë dita më e nxehtë e javës.

Sipas sinoptikanes Lajda Porja, temperaturat do të arrijnë deri në 39 gradë në qarkun e Shkodrës, ndërsa në Elbasan, Berat dhe Gjirokastër termometri pritet të shënojë 38 gradë.

Në pjesën më të madhe të ultësirës perëndimore temperaturat do të lëvizin mes 36 dhe 37 gradëve. Më freskët do të jetë në verilindje dhe juglindje, me rreth 34 gradë në Kukës dhe 31 gradë në qarkun e Korçës.

Edhe bregdeti do të mbetet nën temperatura tipike vere. Në Adriatik priten rreth 33 gradë, ndërsa përgjatë brigjeve të Jonit temperaturat mund të arrijnë 34-35 gradë.Image

Situata pritet të jetë më e rënduar në Tiranë për shkak të lagështirës së lartë. Edhe pse temperaturat reale do të jenë rreth 36-37 gradë, gjatë fundjavës i nxehti mund të perceptohet deri në 40 gradë.

Reshjet nuk pritet të sjellin ndonjë freskim të ndjeshëm. Rebeshe të shkurtra dhe shumë të izoluara mund të shfaqen në zona të Librazhdit, Elbasanit, Pogradecit, Korçës, Ersekës, Bilishtit, Tepelenës dhe Përmetit. Sasitë e reshjeve pritet të jenë të vogla dhe nuk do të ndikojnë ndjeshëm te vatrat e zjarreve.

Temperaturat e larta pritet të vazhdojnë deri në fund të gushtit, ndërsa edhe fillimi i shtatorit parashikohet me karakteristika vere. Në ultësirën perëndimore temperaturat mund të arrijnë rreth 35 gradë, dukshëm mbi vlerat normale të periudhës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu