
Pas përfundimit të takimit, tekniku i verdhebluve vlerësoi reagimin e skuadrës, por pranoi se Elbasani kishte mundësi ta siguronte fitoren më herët.
“Për t’u vlerësuar karakteri i çunave, sepse është ndeshja e dytë radhazi që brenda javës kthejmë rezultatin. Kishim mundësi ta mbyllnim ndeshjen më herët”, deklaroi Daja.
Daja vlerëson Laçin: E thjeshta është më e vështira
Trajneri i Elbasanit nuk i kurseu vlerësimet për kundërshtarin, duke theksuar se Laçi është një skuadër e re në moshë, por me një organizim të mirë në lojë.
“Laçi është ekip mjaft simpatik, bën lojë të bukur dhe për meritë të trajnerit. Ka moshë mesatare të re. Luajnë thjesht, por ndonjëherë e thjeshta është më e vështirë”, u shpreh ai.
Çfarë nuk funksionoi te Elbasani?
Pavarësisht suksesit, Daja evidentoi problemet në qarkullimin e topit, duke shpjeguar se skuadra nuk arriti gjithmonë të përballonte presionin e kundërshtarit me shpejtësinë e duhur.
Sipas tij, Elbasani duhej të ndryshonte më shpejt krahun e lojës dhe të përdorte më shumë pasimet diagonale për të shmangur markimin e fortë të Laçit.
“Ne nuk kishim problem te mbyllja e hapësirave, por shpejtësia e lëvizjes së topit. E dinim që Laçi do vinte me markim të fortë”, analizoi trajneri.
Ai sqaroi se në fushë ishin edhe tre futbollistë që luanin për herë të parë së bashku, një faktor që ndikoi në koordinimin e skuadrës.
Fitorja 2-1 ndaj Laçit konfirmon aftësinë e Elbasanit për të reaguar edhe në situata të vështira, ndërsa Daja kërkon më shumë shpejtësi dhe saktësi në ndërtimin e aksioneve.






