
Nga Rrogozhina në mediat amerikane. Përmbysja spektakolare e Egnatias ndaj Shamrock Rovers ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe Europës, pasi kampionët shqiptarë fituan 5-1 dhe siguruan për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e ligës të një kompeticioni të UEFA-s.
Egnatia hyri në ndeshjen e kthimit me disavantazhin e dy golave, por realizoi një nga përmbysjet më të mëdha të historisë së saj, duke triumfuar 5-1 ndaj skuadrës irlandeze.
Rezultati i siguroi klubit rrogozhinas kalimin në play-off të Europa League dhe, njëkohësisht, garancinë se aventura europiane do të vazhdojë të paktën në fazën e ligës të Conference League.
Arritja ka tërhequr vëmendjen edhe përtej Europës. “Men in Blazers”, media e njohur sportive amerikane, i kushtoi një postim suksesit të kampionëve shqiptarë, duke e prezantuar me pyetjen: “Si thuhet ‘La Remontada’ në shqip?”
Media amerikane evidenton faktin se Egnatia përmbysi një disavantazh prej dy golash dhe tashmë ka siguruar pjesëmarrjen e parë në historinë e klubit në fazën e ligës të një kompeticioni të UEFA-s.
Historia bëhet edhe më e veçantë nga ngjitja e shpejtë e klubit të Rrogozhinës. Vetëm pesë vite më parë Egnatia u ngjit në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa titullin e parë kampion e fitoi në vitin 2024.
Tashmë Egnatia ka përpara play-off-in e Europa League. Nëse kalon edhe këtë pengesë, do të vazhdojë në Europa League; në të kundërt, do të luajë në fazën e ligës të Conference League.
Në të dyja rastet, një gjë është e sigurt: Egnatia do të luajë për herë të parë një fazë europiane dhe Rrogozhina ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit shqiptar.






