Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Greqi, ku një çift prindërish dyshohet se ka shitur foshnjën e tij vetëm tri ditë pas lindjes, për të blerë një automjet të përdorur. Katër persona kanë përfunduar në prangat e policisë, ndërsa foshnja është marrë nën mbrojtjen e autoriteteve.

Ngjarja ka ndodhur në rajonin e Ilias, në Greqinë perëndimore, ndërsa hetimet janë zhvilluar nga policia e Pyrgos.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, një grua 42-vjeçare solli në jetë foshnjën më 5 janar 2026, në Spitalin Universitar të Patras, në Rio.

Vetëm tri ditë më vonë, më 8 janar, pas daljes nga materniteti, gruaja dhe bashkëshorti i saj dyshohet se ia dorëzuan të porsalindurin një çifti tjetër që banonte në Aspropyrgos, pranë Athinës.

Në këmbim të foshnjës, prindërit biologjikë dyshohet se morën 3.500 euro.

Sipas hetimeve, shuma e përfituar nga shitja e fëmijës është përdorur për të blerë një automjet Citroën të përdorur.

Policia greke ishte informuar për transaksionin e dyshuar dhe kishte nisur hetimet për të dokumentuar mënyrën se si ishte realizuar dorëzimi i foshnjës.

Hetuesit verifikuan të dhënat e lindjes në maternitet, daljen e nënës nga spitali, lëvizjet e personave të përfshirë dhe blerjen e automjetit.

Pas disa muajsh hetimesh, autoritetet organizuan një operacion për të identifikuar çiftin që kishte marrë foshnjën.

Të martën, më 17 nëntor, policia lokalizoi çiftin në zonën e Lasteikës, në rajonin e Ilias, teksa ata ndodheshin së bashku me fëmijën.

Menjëherë pas ndërhyrjes, foshnja u mor nga autoritetet dhe u transferua në Klinikën Pediatrike të Spitalit të Pyrgos, ku u vendos nën kujdesin e personelit mjekësor.

Në përfundim të operacionit u arrestuan katër persona: dy prindërit biologjikë dhe çifti që dyshohet se kishte paguar për të marrë fëmijën.

Të arrestuarit dyshohen për shkelje të legjislacionit grek mbi birësimin e të miturve.

Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për trafikimin dhe shitjen e fëmijëve, ndërsa autoritetet po vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Deri tani nuk janë bërë publike hollësi mbi gjendjen shëndetësore të fëmijës apo vendimin përfundimtar për kujdestarinë e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu