
Modelja shqiptare Jori Delli dhe reperi i njohur italian Fred De Palma i kanë dhënë fund beqarisë, duke kurorëzuar dashurinë e tyre në një ceremoni romantike në Maldive.
Ish-banorja e Big Brother VIP Albania ka ndarë mbrëmjen e kësaj të diele edhe pamje nga momentet e dasmës, ku çifti shkëmben puthje nën një hark të zbukuruar me lule të bardha dhe gjethe palmash, buzë Oqeanit Indian.
Çifti kishte njoftuar martesën më 28 nëntor, përmes një publikimi të përbashkët në Instagram, të shoqëruar me mbishkrimin “Mr. and Mrs. De Palma”.

Jori ka zgjedhur një fustan të bardhë me dantellë dhe shpinë të zbuluar, ndërsa reperi italian është shfaqur me një kostum në ngjyrë të kaltër të çelët.
Në ceremoninë private kanë marrë pjesë vetëm familjarët më të afërt, prindërit e çiftit, motra e këngëtarit dhe vëllai i modeles.
Zgjedhja e Maldiveve nuk ka qenë e rastësishme. Pikërisht atje, në dhjetor të vitit 2025, gjatë një darke romantike, Fred De Palma i kishte propozuar martesë modeles shqiptare.
Historia e tyre e dashurisë u bë publike në gusht të vitit 2023, pak muaj pas pjesëmarrjes së Jorit në Big Brother VIP Albania.
E lindur në vitin 1995, nga prindër shqiptarë dhe e rritur në Itali, Jori Delli është diplomuar për inxhinieri menaxheriale në Politeknikun e Torinos. Ajo ka ndërtuar një karrierë në modeling dhe televizionin italian, ku është bërë e njohur edhe për paraqitjet në Sportitalia.
Ndërkohë, Fred De Palma, emri i vërtetë i të cilit është Federico Palana, është një prej artistëve më të njohur të muzikës reggaeton në Itali.
Martesa e çiftit ka marrë vëmendje të gjerë në mediat italiane, ndërsa mes personazheve të njohura që i kanë uruar të sapomartuarit janë Tony Effe, Giulia De Lellis dhe Boro Boro.






