
Dy shtetas shqiptarë dyshohet se janë autorët e një tentative vjedhjeje në rezidencën e princit William dhe princeshës Kate, në Norfolk të Anglisë.
Sipas mediave britanike, njëri prej tyre dyshohet se ishte emigrant me qëndrim të parregullt në Mbretërinë e Bashkuar dhe kishte kërkuar më parë azil.
Policia e Norfolk njoftoi se efektivët ndërhynë rreth orës 18:00 të së hënës, pas raportimeve për aktivitet të dyshimtë në rezidencën Anmer Hall, pjesë e pronës mbretërore Sandringham.
Në operacion u angazhuan qen policie, dronë dhe një helikopter i shërbimit ajror të policisë.
“Dy burra u arrestuan në pronë nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paautorizuar”, deklaroi një zëdhënës i policisë.
Të dy personat ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë. Policia konfirmoi se në momentin e incidentit në rezidencë nuk ndodhej askush.
Shqiptarët nuk e dinin se po hynin në një pronë mbretërore
Gazeta britanike The Sun raportoi se dy shqiptarët ishin të maskuar dhe dyshohet se kishin aktivizuar sistemin e avancuar të sigurisë së rezidencës.
Sipas informacioneve paraprake, ata dyshohet se ishin hajdutë që shfrytëzonin rastin dhe nuk kishin dijeni se prona i përkiste familjes mbretërore.
Autoritetet britanike po kryejnë verifikime urgjente të së kaluarës së dy të arrestuarve, për të përjashtuar mundësinë e motiveve të tjera pas incidentit.
Në momentin e ngjarjes, princi William, princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në rezidencën e tyre kryesore, Forest Lodge, në Windsor.
Rezidenca, dhuratë martese nga mbretëresha Elizabeth
Anmer Hall është një rezidencë me dhjetë dhoma gjumi, rreth 171 kilometra në veri të Londrës.
Prona iu dhurua çiftit mbretëror nga mbretëresha e ndjerë Elizabeth II, me rastin e martesës së tyre në vitin 2011.
Përpara se çifti të vendosej aty, rezidenca iu nënshtrua një rikonstruksioni që raportohet se kushtoi 1.5 milionë paund.
Mbreti Charles III, pronar i kompleksit Sandringham, raportohet se ndodhej në rezidencën e tij në të njëjtën pronë gjatë incidentit.
Edhe vëllai i tij, Andrew Mountbatten-Windsor, ish-duka i Yorkut, raportohet se ndodhej në banesën e tij në kompleksin mbretëror.
Andrew humbi titujt mbretërorë dhe u detyrua të largohej nga rezidenca Royal Lodge në shkurt, pas rikthimit të vëmendjes publike mbi lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.
Në maj ishte raportuar arrestimi i një personi të maskuar, i cili dyshohet se ishte përballur me Andrew pranë banesës së tij.
Incidenti i fundit ndodhi ndërsa princi William raportohet se po zhvillonte një takim me kryeministrin britanik Andy Burnham, për të diskutuar prioritete të përbashkëta, përfshirë çështjen e personave të pastrehë.
Princi William dhe familja e tij gëzojnë mbrojtje të armatosur 24 orë në ditë, për shkak të statusit të tyre si anëtarë aktivë të familjes mbretërore.






