
Deklarata u bë gjatë konferencës së sotme për shtyp, ku ish-kryetarja e Kuvendit komentoi përjashtimin e saj dhe paralajmëroi vazhdimin e betejës politike brenda Partisë Socialiste.
Spiropali e cilësoi përjashtimin nga strukturat socialiste si një “dekoratë”, duke argumentuar se vendimi erdhi për shkak të qëndrimeve të saj politike.
Ajo pranoi gjithashtu se mbart përgjegjësinë e saj për personalizimin e pushtetit gjatë viteve të qeverisjes socialiste.
Spiropali nuk njoftoi krijimin e një force të re politike, duke theksuar se vazhdon ta konsiderojë veten socialiste.
Ambicien për drejtimin e PS-së ajo e kishte shprehur edhe më 19 nëntor, në emisionin “Top Story” në Top Channel, ku deklaroi se ishte e gatshme të konkurronte për postin e kryetares së partisë, nëse hapej gara.
“Nuk e di a më do a s’më do Edi Rama, unë di vullnetin tim, di që më duan socialsitët sepse kam bërë beteja për ta që s’i ka bërë kush tjetër, beteja shumë të vështira. Jam e majtë, socialiste e bindur në vlerat e mia. Nëse duan të bëjnë një garë popullariteti, kam një propozim shumë të thjeshtë: të hapet gara në PS pas 17 vjetësh. Nuk kemi kryetar të përjetshëm. Statuti nuk është Bibël, as Kuran. Ata që sot e kanë hequr statutin nga faqet e PS, flasin sot për të? Statuti është rregulla të përbashkëta. U respektua lidhur me mua a të tjerë? Këta njerëz pse janë larguar nga PS kur janë të dinjitetshëm, pa asnjë arsye?
Unë jam aty, ata që kanë probleme le të ikin. Nuk heq dorë nga mandati. Kam qenë drejtuese politike në Tiranë, kam punuar të marrin vota edhe të tjerë. Nuk kam pikë problemi ta përfundoj karrierën time politike, i detyrohem gjithmonë forcës sime politike. Unë do të jem aty. Sfida është kjo, meqë qenka garë popullariteti dhe le të hapet gara në PS pas 17 vitesh dhe jo vetëm unë, por shumë të tjerë të garojnë për kreun e PS. Kush është i pazëvendësueshëm? Kjo logjikë e sulltanit, e kryetarit ka prodhuar këto problematika të rënda që të rinjtë po i tregojnë me gisht dhe po na tregojnë me gisht të gjithëve. A mundet të hapet gara në PS dhe të garohet me platforma? A ka bërë Edi Rama shumë për këtë proces? Patjetër që ka bërë!
Humbja e shpresës e forcon pushtetin dhe këtu kemi përgjegjësi të gjithë, jo vetëm Edi Rama, ka përgjegjësi edhe media, edhe opozita. Kur ti heq dorë, një vendimmarrje e caktuar kalon, ti nuk do të jesh i vetëm që nuk thua një fjalë. Pak nga pak, shikon që pak nga pak, me vite të tëra, rrëshqet”, tha Spiropali.
Si nisi përplasja me Ramën
Përplasjet mes Spiropalit dhe kryeministrit Edi Rama nisën të bëheshin publike pas shkarkimit të saj nga detyra e ministres së Jashtme, më 26 shkurt 2026.
Në mars, Spiropali mungoi në votimin parlamentar për kërkesën e SPAK ndaj Belinda Ballukut, ndërsa në korrik prezantoi platformën politike “Marrëveshja e re për Shqipërinë”.
Në muajt pasues, ajo kritikoi përqendrimin e pushtetit, mungesën e demokracisë së brendshme në PS dhe kërkoi ndarjen e partisë nga shteti.
Në Asamblenë Kombëtare të 14 nëntorit, Rama kërkoi largimin e Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të partisë.
Pesë ditë më vonë, në intervistën për “Top Story”, Spiropali kritikoi mungesën e garës brenda PS-së dhe i kërkoi Ramës të distancohej politikisht nga Belinda Balluku.
Më 24 nëntor, deputetët socialistë votuan për përjashtimin e Spiropalit nga grupi parlamentar. Vetëm Erion Braçe dhe Bledi Çuçi abstenuan, ndërsa në mbledhje munguan Rama dhe vetë Spiropali.
Ish-kryetarja e Kuvendit ruan mandatin e deputetes dhe anëtarësinë në Partinë Socialiste.
Lajm në zhvillim…






