
Tirana ka përjetuar një tjetër ditë përplasjesh dhe shkatërrimesh, ndërsa protesta studentore hyri në ditën e tretë. Për rreth 12 orë, grupe protestuesish, shumë prej tyre të maskuar, sulmuan institucione shtetërore, banka dhe biznese private, duke shkaktuar zjarre dhe dëme materiale në disa zona të kryeqytetit. Sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, deri në mbrëmje 26 persona kishin marrë trajtim mjekësor.
Protesta nisi që në orën 09:00, ndërsa përplasjet e para u regjistruan pranë Ministrisë së Arsimit. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe spraj për të shpërndarë protestuesit, të cilët më pas u zhvendosën drejt qendrës së Tiranës.
Gjatë marshimit u sulmuan Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Ekonomisë, Bashkia e Tiranës dhe institucione të tjera. Dëmtime pësuan edhe Teatri i Kukullave, muzeu “Shtëpia e Gjetheve” dhe objekte të tjera publike e kulturore.
Ndër objektivat kryesore të sulmeve ishin bankat dhe bizneset private. Në zonën e 9-katësheve u shkatërrua një degë e Bankës Credins, ndërsa dokumentet e nxjerra nga ambientet e saj u dogjën në rrugë. Protestues të maskuar dëmtuan gjithashtu bankomate, dyqane të telefonisë celulare dhe kioska, nga të cilat u raportuan edhe vjedhje mallrash.
Flakët përfshinë disa kioska në rrugën e Elbasanit, pranë Piramidës, te “Tajvani” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. U dogjën gjithashtu kosha mbeturinash, pemë dhe një stacion autobusi pranë Urës së Bllokut.
View this post on Instagram
Tensionet u përshkallëzuan disa herë pranë Kryeministrisë, ku protestuesit hodhën gurë dhe pllaka trotuari drejt efektivëve. Policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë, ndërsa në mbrëmje forcat speciale ndërhynë për të liruar bulevardin.
Një tjetër përpjekje për sulm u regjistrua pranë selisë së Partisë Socialiste, por protestuesit u zmbrapsën nga ndërhyrja e policisë.
Sipas të dhënave të publikuara në orën 19:37, në Spitalin e Traumës kishin marrë trajtim 26 persona, mes tyre policë, protestues dhe kalimtarë. Një efektiv i ardhur nga Shkodra iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë, ndërsa një tjetër u shtrua në Neurokirurgji për monitorim.
Protestat u shoqëruan me incidente edhe jashtë kryeqytetit. Në Durrës u plagosën gjashtë punonjës policie, përfshirë nëndrejtorin e Policisë, ndërsa në Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Kukës u raportuan sulme ndaj institucioneve, dëmtime të pronës publike dhe shoqërime të protestuesve.
Edhe pas orës 20:00, në Tiranë vijuan incidentet dhe ndërhyrjet e policisë. Në orën 20:42 u raportua një tjetër zjarrvënie në derën e Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa rreth orës 21:25 policia shpërndau me gaz një grup që ishte afruar sërish pranë Kryeministrisë.






