Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile nismës së PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se në parim nuk ka pengesa ligjore që projektligji të vazhdojë procedurën parlamentare. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë vlerëson se ndryshimet janë komplekse dhe kërkojnë shqyrtim të specializuar në Kuvend.

Me këtë vendim, Qeveria nuk i ka miratuar ndryshimet e propozuara nga PDK-ja, por ka dhënë opinionin që lejon nismën të ecë përpara. Projektligji tashmë kalon në Kuvend, ku do të shqyrtohet nga Komisioni për Legjislacion dhe më pas nga deputetët.

Por çfarë sjell konkretisht ky projektligj nëse miratohet?

Ndryshimi më i fortë është kufizimi në 15 vjet i dënimit maksimal që mund të shqiptojë Gjykata Speciale. Projektligji parashikon që ky ndryshim të mund të zbatohet edhe për çështjet ekzistuese, duke iu referuar parimit të ligjit më të favorshëm.

Gjithashtu, personat e dënuar nga Specialja do ta vuanin dënimin në Kosovë, ndërsa Presidentit të Republikës do t’i njihej kompetenca për faljen individuale të personave të dënuar me vendim të formës së prerë.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm prek kompetencat e vetë Speciales. Propozimi synon ngushtimin e juridiksionit të saj, ndërsa çështjet që mbeten jashtë tij do të kalonin te gjykatat e zakonshme të Kosovës.

Projektligji parashikon gjithashtu monitorimin e punës së Dhomave të Specializuara nga organizata ndërkombëtare, ndërsa kontrolli kushtetues i ligjit do të bëhej nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë.

Pra, vendimi i Qeverisë nuk i ndryshon menjëherë rregullat e Speciales. Ai i hap rrugën projektligjit për të kaluar në Kuvend. Nëse deputetët e miratojnë në këtë formë, pasojat do të jenë të rëndësishme: maksimumi 15 vjet burg, vuajtja e dënimit në Kosovë, mundësia e faljes nga Presidenti dhe kufizimi i juridiksionit të Speciales.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu