Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas polemikave që shkaktoi interpretimi i melodisë së një kënge nacionaliste serbe kundër Kosovës, gjatë një koncerti të organizuar në Bruksel në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Europian.

Kos ka shprehur keqardhje për incidentin, duke ia atribuuar përgjegjësinë përzgjedhjes së bërë nga muzikantët dhe duke theksuar se kënga nuk përfaqëson qëndrimet e Komisionit Europian.

“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, deklaroi Kos, sipas KOHA.net.

Komisionerja shtoi se institucionet europiane janë të vetëdijshme për sakrificat e njerëzve në rajon gjatë së kaluarës.

Duke folur për marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit, ajo theksoi rëndësinë e pajtimit, pa harruar historinë.

“Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, u shpreh Kos.

Albulena Haxhiu: Përzgjedhje e papërgjegjshme

Interpretimi i melodisë ka shkaktuar reagime në Kosovë.

Albulena Haxhiu e ka cilësuar thellësisht shqetësuese përfshirjen e muzikës së një kënge që, sipas saj, promovon pretendime territoriale serbe ndaj Republikës së Kosovës.

“Është thellësisht shqetësuese që në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel të interpretohet muzika e një kënge nacionaliste serbe që promovon pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Ajo theksoi se një aktivitet i institucioneve europiane, që synon afrimin e vendeve të rajonit me BE-në, nuk duhet të përcjellë mesazhe në kundërshtim me parimet e paqes, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të sovranitetit.

“Presim sqarim nga Komisioni Evropian për këtë përzgjedhje të papërgjegjshme”, deklaroi Haxhiu.

Marta Kos pyetet edhe për mungesën e Kosovës në forum

Gjatë komunikimit me komisioneren europiane, KOHA ngriti edhe çështjen e përfaqësimit të Kosovës në Forumin e Zgjerimit.

Gazetari Augustin Palokaj e pyeti Kos përse, për të dytën herë radhazi, nuk ishte ftuar askush nga Kosova në një aktivitet të kësaj rëndësie.

Komisionerja kundërshtoi këtë konstatim, duke deklaruar se ai nuk ishte i vërtetë.

Si shembull, ajo përmendi Donika Eminin, përfaqësuese të shoqërisë civile, e cila ishte ftuar të merrte pjesë në forum.

Incidenti me melodinë nacionaliste serbe ka nxitur kërkesa për sqarime nga Komisioni Europian, ndërsa Marta Kos ka këmbëngulur se përzgjedhja muzikore nuk pasqyron qëndrimet e institucionit që ajo përfaqëson.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu