Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të mërkurë kryetarët e bashkive të vendit në Kuç të Vlorës, ndërsa në qendër të diskutimeve pritet të jetë reforma e re territoriale dhe riorganizimi i pushtetit vendor.

Takimi po zhvillohet në një lokal përgjatë aksit Kuç–Qeparo, ku kryebashkiakët kanë mbërritur më herët gjatë ditës. Rama ka mbërritur rreth orës 12:00 dhe është pritur nga ministrat Arbjan Mazniku dhe Ervin Demo, të angazhuar në diskutimet për qeverisjen vendore.

Në fokus të mbledhjes pritet të jenë propozimet për riorganizimin territorial, funksionimi i njësive vendore dhe ndryshimet e mundshme në hartën aktuale të 61 bashkive.

Në takim marrin pjesë edhe kryetarët e bashkive që mund të preken drejtpërdrejt nga reforma. Ndryshimi i hartës territoriale mund të sjellë bashkimin apo riorganizimin e disa njësive vendore dhe administrative.

Diskutimet për reformën janë shoqëruar ditët e fundit edhe me reagime në disa bashki, ku banorët kanë kundërshtuar mundësinë e shkrirjes ose bashkimit të njësive të tyre me bashki të tjera.

Ende nuk janë bërë publike propozimet përfundimtare për hartën e re territoriale. Kryeministri Rama ka deklaruar më herët se vendimmarrja për reformën i takon Parlamentit.

Takimi në Kuç pritet të zgjasë disa orë dhe të përcaktojë hapat e mëtejshëm të diskutimeve për reformën territoriale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu