
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pretendon se një sondazh i brendshëm i Partisë Socialiste tregon një rënie të fortë të mazhorancës, duke e vendosur PS-në në 29 për qind. Sipas tij, edhe kryeministri Edi Rama ka mbështetje më të ulët se vetë partia.
Berisha nuk paraqiti publikisht sondazhin apo të dhëna të tjera që mund të verifikojnë pretendimin, por këmbënguli se bëhet fjalë për një matje të kryer për llogari të socialistëve dhe jo nga opozita.
Kreu demokrat paralajmëroi një përshkallëzim të aksionit opozitar në vjeshtë, duke deklaruar se PD do të përdorë “të gjitha mjetet” kundër qeverisë. Sipas tij, protestat që po zhvillohen në disa qytete do të synohet të shndërrohen në protesta masive.
“Vjeshta do të jetë vjeshta e temperaturave më të larta politike”, deklaroi Berisha, duke përsëritur kërkesën për largimin e Ramës, krijimin e një qeverie kujdestare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.
Berisha foli edhe për Reformën Territoriale, duke kundërshtuar propozimin e socialistëve për reduktimin e numrit të bashkive. Ai tha se PD mbështet decentralizimin dhe një hartë me 111 njësi vendore, por shtoi se propozimi mbetet i hapur për diskutime me komunitetet.
Në konferencë, Berisha hodhi gjithashtu akuza ndaj Belinda Ballukut, duke pretenduar se ajo është shndërruar “de facto” në drejtuese të qeverisjes së PS-së. Ai përmendi edhe pretendime për përgjime, por pranoi vetë se këto ishin informacione të pakonfirmuara.






