
Vijon me intensitet të lartë operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën e Runjës, mbi fshatin Borie Lurë.
Rreth 220 forca dhe efektivë janë angazhuar në operacionin nga toka, ndërsa ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri.
Në terren ndodhen zjarrfikës, efektivë të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe shërbimit pyjor, struktura të bashkisë, vullnetarë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Prefektura e Qarkut Dibër.
Ndërkohë, dy avionë “Air Tractor” po ndërhyjnë nga ajri, duke u përqendruar në vatrat më problematike të zjarrit.
Prioriteti i operacionit mbetet mbrojtja e banesave dhe pengimi i përhapjes së mëtejshme të flakëve në Parkun Kombëtar të Lurës.
Autoritetet bëjnë të ditur se operacioni do të vijojë me angazhim maksimal deri në vënien plotësisht nën kontroll dhe neutralizimin e vatrës së zjarrit.






