Qyteti argjentinas Ushuaia, i njohur si “Fundi i Botës” dhe pikënisje për udhëtimet drejt Antarktidës, po përballet me dyshime të forta se mund të jetë vendi ku nisi shpërthimi i hantavirusit në kroçerën MV Hondius.

Megjithatë, autoritetet lokale kanë mohuar kategorikisht që infektimi të ketë ndodhur në Tierra del Fuego. Drejtori i Epidemiologjisë në provincë, Juan Facundo Petrina, deklaroi se në rajon nuk është regjistruar asnjë rast hantavirusi që prej vitit 1996.

Dyshimet janë përqendruar te një landfill në periferi të Ushuaias, i vizituar shpesh nga turistët për të parë zogjtë, ku mbeturinat tërheqin minj dhe brejtës të tjerë që mund të transmetojnë virusin. Disa media ndërkombëtare raportuan se kjo është pista kryesore që po hetohet nga autoritetet argjentinase.

Por Petrina insistoi se zona nuk ka kushtet klimatike dhe as speciet e brejtësve që zakonisht përhapin hantavirusin në Patagoni.

Ndërkohë, qeveria argjentinase ka njoftuar dërgimin e ekspertëve për të hetuar nëse virusi ose minjtë bartës kanë mbërritur në Tierra del Fuego. Hetuesit pritet të analizojnë brejtësit në zonën e landfillit për gjurmë të hantavirusit.

Shpërthimi në “MV Hondius” ka tronditur industrinë turistike të Ushuaias, nga ku nisen mbi 95% e kroçerave drejt Antarktidës. Autoritetet lokale druhen se lidhja e qytetit me virusin mund të dëmtojë rëndë sezonin turistik dhe ekonominë lokale.

Tre persona kanë humbur jetën në kroçerë, ndërsa autoritetet ndërkombëtare vazhdojnë hetimet për të zbuluar origjinën e saktë të infektimit. Sipas ekspertëve, çifti holandez që humbi jetën mund të ketë qenë “pacienti zero”.

Hetimet po fokusohen në udhëtimet e tyre në Argjentinë, Kili dhe Uruguai përpara nisjes së kroçerës më 1 prill nga Ushuaia.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu