
Seriali i Netflix Adolescence ishte triumfuesi absolut i mbrëmjes në BAFTA Television Awards, duke fituar katër çmime dhe duke hyrë në histori si produksioni më i suksesshëm i vitit.
Drama që tronditi publikun britanik pas publikimit në mars 2025 u shpall “Seriali më i mirë i shkurtër”, ndërsa aktorët e saj morën vlerësime të mëdha.
16-vjeçari Owen Cooper u bë fituesi më i ri ndonjëherë i çmimit për “Aktorin më të mirë jo-protagonist”, falë rolit të një adoleshenti të akuzuar për vrasjen e një shoqeje klase.
Në fjalimin e tij emocionues, Cooper citoi John Lennon dhe grupin legjendar The Beatles.
“Në jetë duhen vetëm tre gjëra për të pasur sukses: një obsesion, një ëndërr dhe Beatles-at”, tha ai.

Edhe Stephen Graham fitoi çmimin “Aktori më i mirë protagonist” për rolin e babait në serial, duke marrë BAFTA-n e parë pas shtatë nominimeve. Ndërsa Christine Tremarco fitoi çmimin për “Aktorja më e mirë jo protagoniste”.
Mbrëmja solli edhe triumfin e The Celebrity Traitors dhe Last One Laughing, të cilat fituan nga dy çmime secila.
Ndërkohë, Narges Rashidi u shpall “Aktorja më e mirë protagoniste” për interpretimin e Nazanin Zaghari-Ratcliffe në dramën “Prisoner 951”.
Një nga momentet më emocionale të ceremonisë ishte vlerësimi me çmimin e karrierës për Mary Berry, e cila në moshën 91-vjeçare mori nderimin më të lartë të BAFTA-s.




