
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka bërë “ecuri të jashtëzakonshme” në prokurimet publike, duke pretenduar se disa tregues të vendit janë më të mirë se ato të disa shteteve të Bashkimit Europian.
Në nisje të konferencës për prokurimet publike, Rama iu referua një raporti të European Court of Auditors për vendet e BE-së, ku sipas tij evidentohen probleme serioze me konkurrencën në tendera dhe procedurat publike.
Sipas Ramës, në vendet e BE-së mesatarja e kontratave me vetëm një ofertues është 32.3%, ndërsa në Shqipëri kjo shifër rezulton 23.5%. Ai tha se Shqipëria pozicionohet pranë vendeve si Suedia, Gjermania, Finlanda dhe Franca.
Kryeministri theksoi gjithashtu se mesatarja e ofertuesve për procedurë në BE është 3.2, ndërsa në Shqipëri arrin në 3.7 ofertues për procedurë.
“Në Shqipërinë e vitit 2025, numri i prokurimeve për punë publike që janë mbyllur me vetëm një ofertues është 12%, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE është 14%”, deklaroi Rama.
Sipas tij, këto tregues provojnë se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të procesit të negociatave me Bashkimin Europian për kapitullin e prokurimeve publike.
Rama falënderoi gjithashtu drejtuesit dhe ekspertët e Agjencisë së Prokurimit Publik për punën në transformimin e sistemit të prokurimeve dhe rritjen e standardeve të transparencës.






