
Ministri i Drejtësisë Toni Gogu deklaroi se gjykatat që trajtojnë krimin e organizuar kanë nevoja reale sigurie, por masat e marra duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.
Deklarata u bë gjatë inaugurimit të ambienteve të rikonstruktuara në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku janë investuar 4 salla gjykimi, 2 holle dhe 16 zyra për gjyqtarët.
“Të gjitha masat e sigurisë duhet të jenë funksionale, proporcionale dhe në përputhje me standardet europiane”, u shpreh Gogu, duke komentuar debatin publik për mbajtjen e të pandehurve në kafaze xhami gjatë proceseve gjyqësore.
Ministri e lidhi investimin me reformën në drejtësi dhe me procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian për Kapitullin 23.
“Europa nuk mat vetëm ekzistencën formale të institucioneve, por mënyrën se si funksionojnë çdo ditë, efikasitetin, sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve”, deklaroi ai.
Gogu, i cili më herët ka mbajtur postin e kancelarit të Gjykatës së Tiranës, theksoi se infrastruktura gjyqësore është pjesë e cilësisë së drejtësisë dhe jo thjesht një aspekt teknik.
“Salla e gjyqit nuk është vetëm vendi ku lexohet vendimi, por ambienti ku shteti garanton paanshmëri, siguri dhe autoritetin e ligjit”, tha ministri.
Sipas tij, reforma në drejtësi tashmë ka hyrë në fazën e konsolidimit të institucioneve, ndërsa sfida kryesore mbetet rritja e efikasitetit, profesionalizmit dhe besimit publik te sistemi.






