
Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar qëndrimin ndaj protestave kundër qeverisë, duke deklaruar se në to kanë qenë të përfshira edhe “duar të huaja” dhe se përpjekjet për largimin e tij me dhunë nuk do të kenë sukses.
Gjatë fjalimit që vijon në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama kërkoi zbatimin e plotë të gjobave për bllokimin e rrugëve, ndërsa i cilësoi pretendimet për dhunë policore si një “legjendë urbane”.
Rama: Në protesta kishte edhe duar të huaja
Kryeministri deklaroi se protestat kishin mbledhur qytetarë me shqetësime reale, por pretendoi se mes tyre ishin përfshirë edhe grupe me qëllime të tjera.
“Që aty në atë protestë kishte nga të gjitha […] Po që duart e huaja ishin pjesë aty, kjo është po kaq e qartë”, u shpreh Rama, pa paraqitur në këtë pjesë të fjalimit prova konkrete për pretendimin.
Ai foli edhe për atë që e quajti “iluzioni i largimit tim me dhunë”, duke theksuar se kundërshtimi nuk drejtohet vetëm ndaj tij, por ndaj gjithë Partisë Socialiste.
“Ata e kanë me mua, ata e kanë me ju, ata e kanë me Partinë Socialiste. Unë jam thjesht pengesa më e madhe”, deklaroi kryeministri.
Gjobat për bllokimin e rrugëve të ekzekutohen deri në fund
Rama kërkoi forcimin e zbatimit të ligjit ndaj protestuesve që bllokojnë qarkullimin pa leje.
“Gjobat duhen ekzekutuar deri në fund. E drejta për të zënë rrugën pa leje nga policia duhet të mos ekzistojë pa pasojën e gjobës përkatëse për bllokimin e rrugës”, tha ai.
Kryeministri solli si shembull një protestë gjatë vizitës së tij në Dublin, ku, sipas tij, një protestues hodhi një vezë në drejtimin e tij dhe u ndalua menjëherë nga policia irlandeze.
Rama kundërshtoi gjithashtu akuzat për dhunë policore në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një tjetër “legjendë urbane”.
Rama: Tani është koha të flasim ne
Kryeministri u kërkoi strukturave socialiste të shtrijnë komunikimin në çdo lagje dhe fshat, për të diskutuar drejtpërdrejt me qytetarët.
“Tani është koha të flasim ne. Po të flasim në çdo lagje dhe në çdo fshat”, deklaroi ai.
Rama theksoi se mandati i marrë nga socialistët nuk është thjesht një mandat katërvjeçar, por një mision i lidhur me objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Ai iu rikthye edhe rekomandimit të Komisionit Europian për nisjen e përgatitjeve të traktatit të anëtarësimit, duke e paraqitur si dëshmi të përparimit të Shqipërisë.
Kryeministri mbrojti gjithashtu pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, duke deklaruar se hetimet ndaj zyrtarëve të lartë tregojnë se këto institucione mund të veprojnë edhe brenda mazhorancës.
Në një tjetër pjesë të fjalimit, Rama pretendoi se rreth 60% e përmbajtjes mediatike në Shqipëri është kundër qeverisë, 30% neutrale dhe vetëm 10% në favor të saj.






