
Një aksident tragjik ka ndodhur paraditen e kësaj të shtune në Xibër, pranë tunelit të Murrizit, ku dy persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë dërguar në spital.
Sipas informacionit paraprak të policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 10:15, kur dy automjete, të drejtuara nga shtetasit B. O., rreth 42 vjeç, dhe A. F., rreth 45 vjeç, u përplasën me njëri-tjetrin.
Si pasojë e përplasjes fatale, humbi jetën në vendngjarje drejtuesi i njërit automjet, 42-vjeçari B. O., si dhe shtetasja M. F., e cila udhëtonte si pasagjere në makinën e drejtuar nga A. F.
Pesë persona të tjerë janë transportuar në spital për kontroll mjekësor. Ende nuk ka informacion mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e përplasjes.






