
Një ngjarje tragjike ka tronditur futbollin spanjoll. Portieri Hezus Ouono është dënuar me 12 ndeshje pezullim, pas ndërhyrjes së rëndë që i shkaktoi vdekjen futbollistit Hezus de Migel.
Komiteti i Disiplinës në Spanjë ka vendosur ndaj portierit dënimin maksimal të parashikuar nga rregullorja, ndërsa ngjarja është bërë objekt edhe i një hetimi policor.
Gjithçka ndodhi në minutat e fundit të një ndeshjeje kundër Tenerifes, në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll, La Liga 2.
Një ndërhyrje e rëndë e portierit Ouono ndaj futbollistit Hezus de Migel pati pasoja fatale, duke shkaktuar një tragjedi që ka tronditur komunitetin sportiv.
Policia heton për vrasje nga pakujdesia
Përtej vendimit disiplinor, autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale të vrasjes nga pakujdesia.
Pezullimi me 12 ndeshje është masa më e rëndë që mund të jepet sipas rregullores disiplinore, por hetimi penal zhvillohet veçmas dhe ende nuk ka një përfundim.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle të cituara nga Panorama Sport, portieri ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike pas ngjarjes.
Tashmë pritet përfundimi i hetimeve të policisë, të cilat do të përcaktojnë nëse portieri do të përballet edhe me përgjegjësi penale për vdekjen e futbollistit.






