
Lëvizjet e para të Edi Ramës në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste sjellin ndryshime në drejtimin politik të Bashkisë së Tiranës. Albana Koçiu dhe Ervin Demo marrin përgjegjësinë politike për kryeqytetin, duke zëvendësuar Erion Veliajn, ndërsa Taulant Balla ruan bashkitë që kishte në përgjegjësi.
Sipas informacioneve nga brenda Asamblesë së PS, që po zhvillohet këtë të shtunë në Gjirin e Lalëzit, zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Brendshëm Ervin Demo janë caktuar bashkëdrejtues politikë të socialistëve për Bashkinë e Tiranës.
Ndryshimi nuk prek përgjegjësitë politike të Taulant Ballës. Ai vijon të mbulojë bashkitë Kamëz, Kavajë dhe Rrogozhinë, sipas ndarjes së mëparshme.
Pra, nuk bëhet fjalë për largimin e Ballës nga drejtimi politik, por për zëvendësimin e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, përgjegjësi që tashmë u besohet Koçiut dhe Demos.
Lëvizjet vijnë në kuadër të riorganizimit të Partisë Socialiste përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.
Informacionet kanë dalë nga mbledhja me dyer të mbyllura e Asamblesë, pasi kryeministri Rama kërkoi ndërprerjen e transmetimit televiziv për të diskutuar me anëtarët e partisë.






