Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka nisur këtë të shtunë në Gjirin e Lalëzit me një zhvillim të papritur. Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndërprerjen e transmetimit për mediat, sapo ka marrë fjalën përpara drejtuesve dhe anëtarëve të partisë.

Mbledhja nisi rreth orës 10:00 në një resort në Lalëz të Durrësit, ndërsa punimet u hapën nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi.

Ky i fundit ia kaloi fjalën kryeministrit Rama, por në vend të një fjalimi publik, kreu i socialistëve kërkoi që kamerat të ndërprisnin transmetimin.

“Ju kërkoj ndjesë për ndërprerjen e sinjalit, por dua të ndaj disa fjalë për familjen tonë politike në këtë asamble”, u shpreh Rama.

Vendimi bëri që pjesa e parë e fjalës së kryeministrit të zhvillohej pa praninë e kamerave dhe pa transmetim për publikun.

Ndërprerja e sinjalit vjen në një moment të rëndësishëm për Partinë Socialiste, e cila ka mbledhur strukturat e saj drejtuese për të diskutuar përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 dhe zhvillimet brenda partisë.

Asambleja zhvillohet gjithashtu në një klimë tensionesh politike, pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u ka dërguar anëtarëve të saj një mesazh, përmes të cilit kërkon debat dhe mocion mosbesimi ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama.

Megjithatë, nuk dihet nëse vendimi për ndërprerjen e transmetimit lidhet me këtë zhvillim apo me çështje të tjera të brendshme që Rama ka zgjedhur t’i diskutojë pa praninë e mediave.

Sipas njoftimeve të para, kryeministri pritet të mbajë më pas edhe një fjalim publik, i cili do të transmetohet për mediat dhe qytetarët.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu