
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk e përjashton mundësinë që Erion Veliaj të kontribuojë në një front të përbashkët kundër kryeministrit Edi Rama, pavarësisht akuzave që demokratët kanë ngritur ndër vite ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
I pyetur nga Qëndresa Shqiptare nëse Veliaj mund të përfshihet në këtë front, pas deklaratës së tij se “armiku i armikut tim është aleati im”, Berisha u përgjigj se nuk do të pengojë askënd që dëshiron të kontribuojë në largimin e Ramës.
“Po në qoftë se Veliaj jep kontribut, le të japë. Nuk ndaloj asnjërin”, deklaroi Berisha.
Berisha: PD ka kontribut në arrestimin e Veliajt
Megjithatë, kryedemokrati nuk i kurseu akuzat ndaj Veliajt, duke theksuar se Partia Demokratike ka luajtur rol në denoncimin e çështjeve që lidhen me të.
“Erion Veliaj është një i burgosur hajdut aty ku është, dhe në arrestimin dhe krimet e tij, Partia Demokratike ka një kontribut të pamohueshëm”, u shpreh Berisha.
Ai sqaroi se një front i përbashkët kundër Ramës nuk nënkupton domosdoshmërisht bashkim programor mes forcave apo individëve që marrin pjesë në të.
Për të argumentuar qëndrimin e tij, Berisha solli shembullin e bashkëpunimit të Winston Churchill me Josif Stalinin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht dallimeve të thella mes tyre.
“Bashkohem që nesër edhe me ata që më kritikojnë”
I pyetur nëse do të bashkëpunonte me një forcë politike që e kritikon personalisht, por ndan të njëjtin qëllim për largimin e Ramës, Berisha dha një përgjigje të prerë.
“Absolutisht që nesër. Edhe të vazhdojë të kritikojë, pa diskutim”, deklaroi ai.
Kryetari i PD-së përsëriti akuzat ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një regjim që, sipas tij, po detyron shqiptarët të largohen nga vendi.
Ai kritikoi gjithashtu mediat që i konsideron të kontrolluara nga qeveria, duke i akuzuar për qëndrime kontradiktore ndaj opozitës dhe rezultateve zgjedhore.
Në përfundim, Berisha mbrojti alternativën politike të Partisë Demokratike, duke deklaruar se ajo është vlerësuar nga fondacionet Adenauer dhe Heritage.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur Erion Veliaj ka publikuar nga paraburgimi një fjalim drejtuar Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, në të cilin kërkon aktivizimin e procedurës statutore për mocion mosbesimi ndaj Edi Ramës.
Megjithatë, Berisha nuk njoftoi ndonjë marrëveshje apo bashkëpunim konkret me Veliajn, por u shpreh i hapur ndaj kontributit të kujtdo që kërkon largimin e kryeministrit.






