
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka reaguar pas raportimeve për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga PS, duke sqaruar se të dy nuk mund të jenë më pjesë e forumeve të partisë, por nuk përjashtohen nga anëtarësia.
Klosi i cilëson lajme të rreme raportimet që flasin për përjashtimin e tyre nga Partia Socialiste, duke pretenduar se deklarata e tij për mediat është keqinterpretuar qëllimisht.
“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia”, deklaron Klosi.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së shpjegon gjithashtu përse në Asamblenë Kombëtare nuk u zhvillua votim për përjashtimin.
Sipas tij, tre socialistë kundërshtuan në parim përjashtimin dhe shprehën lirisht qëndrimin e tyre gjatë mbledhjes.
“Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë”, thekson ai.
Klosi kritikon edhe raportimet mediatike për zhvillimet në Asamble.
“Ky është fakti ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë”, shprehet ai.
Në përfundim, Klosi deklaron se Partia Socialiste do të vijojë rrugën e saj pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare.
“Nesër është një ditë e re dhe Partia Socialiste do të vazhdojë rrugën me frymën pozitive të kësaj asambleje”, përfundon sekretari i Përgjithshëm.






