
Sipas kryeministrit, vendi po përballet me një situatë të tensionuar politike, ku një protestë e nisur për arsye të tjera është shndërruar në atë që ai e quajti një ofensivë dhune.
“Ka momente në jetën e një vendi kur politika duhet të ngrihet mbi valët e zhurmave të ditës dhe duhet të shohë përtej tymit të përplasjes së radhës”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se drejtuesit politikë duhet të ruajnë qartësinë dhe të kuptojnë çfarë rrezikon të humbasë vendi për shkak të përplasjeve të brendshme.
Kryeministri e cilësoi situatën aktuale si një moment të tillë, duke akuzuar kundërshtarët politikë për instrumentalizimin e protestave.
Sipas tij, protesta ka degraduar në një ofensivë dhune, që në dukje drejtohet kundër qeverisë, por që, sipas Ramës, godet mënyrën se si socialistët synojnë ta çojnë Shqipërinë përpara.
Rama: Në vitin 2027 mund të nisin përgatitjet për traktatin e anëtarësimit
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, Rama ia kushtoi procesit të integrimit europian.
Kryeministri deklaroi se në raportin më të fundit për zgjerimin, Komisioni Europian ka rekomanduar nisjen gjatë vitit 2027 të përgatitjeve për hartimin e traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Komisioni Europian ka bërë një rekomandim historik për Shqipërinë”, deklaroi Rama, duke e cilësuar këtë zhvillim si konfirmim të përparimit të vendit drejt BE-së.
Sipas tij, është hera e parë që në këtë kontekst përmendet shprehimisht traktati i anëtarësimit të Shqipërisë.
Kryeministri e konsideroi këtë rekomandim si një nga arritjet më të rëndësishme të procesit të integrimit dhe ia atribuoi progresin qeverisjes socialiste dhe mbështetjes së shumicës së shqiptarëve.
Rama theksoi se vendi ndodhet në një fazë vendimtare të rrugëtimit europian, ndërsa kërkoi që përplasjet e brendshme politike të mos e zhvendosin vëmendjen nga ky objektiv.
Deklaratat u bënë gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, që po zhvillohet këtë të shtunë, më 14 nëntor, në Gjirin e Lalëzit.






