
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Majko ka ironizuar mënyrën se si është interpretuar fjala e tij, duke përmendur drejtpërdrejt gazetarin Blendi Fevziu.
“Fevziut i pëlqeu më shumë ‘varianti me seks!’”, shkruan Majko, duke shoqëruar reagimin me një pikëpyetje ironike.
Ish-kryeministri thekson se në Asamblenë e PS-së kishte kërkuar largimin nga politika të personave që kanë kontakte të papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar.
“Në fakt, në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar! Në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika!”, shprehet ai.
Majko pranon se gjatë diskutimit kishte përmendur një informacion publik për video të sekuestruara nga SPAK, por këmbëngul se nuk kishte folur për përmbajtje erotike.
“Asnjë fjalë për ‘erotizmin’ apo ‘videot e seksit’!”, sqaron ish-deputeti socialist.
Ai ka veçuar gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, si të vetmin që e kishte kontaktuar për të verifikuar deklaratat e tij.
“I vetmi gazetar që më pyeti për të konfirmuar deklarimet e mia ishte Muhamed Veliu!”, shkruan Majko.
Në fund të reagimit, ish-kryeministri kritikon mënyrën se si, sipas tij, media i jep më shumë rëndësi jetës private të politikanëve sesa lidhjeve të mundshme të tyre me botën e krimit.
“Ky është ai momenti kur kupton se në vendin tonë për një person publik janë më të rënda ‘videot erotike’ sesa kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar!!! Ndjesë për zhgënjimin!”, përfundon Majko.
Reagimi vjen pas diskutimeve të shkaktuara nga fjala e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku ish-deputeti socialist ngriti shqetësime për standardet e përfaqësimit politik dhe marrëdhëniet e papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.






