
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur fermeri Baftjar Pire shkoi pranë stallës ku mbante bagëtitë dhe u përball me një skenë të rëndë. Ujqërit po sulmonin delet, ndërsa përpjekjet e tij për t’i shpëtuar rezultuan të pasuksesshme.
Sipas dëshmisë së fermerit për Report TV, një prej ujqërve iu vërsul edhe atij, duke e vënë në rrezik.
“Ka qenë ora 6 e gjysmë. Ishte një ujk. 12 kokë bagëti. Fati im që shpëtova, m’u hakërrua edhe mua. Nuk më ka ndodhur kurrë kjo. Më bëri qeder të madh. Shteti, bashkia të na ndihmojnë”, rrëfen Baftjar Pire.
Sulmi ka shkaktuar një humbje të rëndë ekonomike për familjen, pasi bagëtitë përbënin burimin kryesor të të ardhurave.
Fermeri dhe bashkëshortja e tij kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve vendore dhe shtetërore për t’i ndihmuar të përballojnë dëmin e shkaktuar.
Ngjarja ngre gjithashtu shqetësimin për sigurinë e bagëtive në zonat rurale, ku sulmet e grabitqarëve mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme për familjet që jetojnë nga blegtoria.






