
Gjykata Speciale e dënoi këtë të martë, më 17 nëntor, ish-presidentin e Kosovës me 17 muaj burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas Gazetës Infokus, momenti që tërhoqi vëmendjen ndodhi kur gjyqtari Christopher Gosnell kërkoi që Bashkim Smakaj të ngrihej për t’i komunikuar dënimin. Në atë çast, kamerat kapën Thaçin duke tundur kokën dhe duke qeshur.
View this post on Instagram
Megjithëse reagoi me buzëqeshje, ish-presidenti nuk e fshehu kundërshtimin ndaj vendimit të gjykatës.
“Kjo është politikë, nuk është drejtësi”, dëgjohet të ketë thënë Thaçi jashtë mikrofonit, përpara se të ulej.
Vendimi lidhet me akuzat për tentativë për pengimin e personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Në të njëjtin proces, gjykata shpalli vendime edhe për të akuzuarit e tjerë. Bashkim Smakaj u dënua me burgim, Fadil Fazliu mori një dënim prej 12 muajsh, të konsideruar të shlyer me kohën e kaluar në paraburgim, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.
Vendimi ka shkaktuar reagime në Kosovë, ku përfaqësues politikë dhe organizata të dala nga lufta e UÇK-së kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj aktgjykimit.
Pamjet e Thaçit duke qeshur në sallën e gjyqit janë bërë një nga momentet më të komentuara të seancës, ndërsa deklarata e tij se vendimi është politik ka shtuar debatet rreth procesit në Hagë.
Në këtë proces, Prokuroria e Specializuar kishte kërkuar gjashtë vite burgim për Thaçin, ndërsa mbrojtja kishte kundërshtuar akuzat. Vendimi prej 17 muajsh është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.






