
Në një postim në platformën X, Rama e cilëson autorin e publikimeve një “palaço të propagandës ruse”, duke pretenduar se ai është sanksionuar nga Bashkimi Europian pikërisht për aktivitetin e tij në shërbim të Moskës.
“Dhe një palaço i propagandës ruse, i cili u sanksionua sot nga Bashkimi Europian pikërisht sepse është një palaço i paguar nga Rusia”, shkruan Rama.
Kryeministri ngre më pas pyetjen se përse Shqipëria është bërë objekt i këtyre publikimeve, duke e lidhur këtë me përparimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Por pse Shqipëria? Sepse Shqipëria ka shkuar shumë larg me ngritjen e saj dhe afrimin e shpejtë drejt objektivit historik: anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shprehet ai.
Në postimin e Ramës shfaqen dy publikime të Chay Bowes, të datave 16 dhe 19 tetor, ku paraqiten pamje të protestave dhe përplasjeve në Tiranë.
Në njërin prej publikimeve pretendohet se studentët u kanë vënë flakën objekteve, ndërsa mijëra persona kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Në tjetrin shfaqen përplasje mes policisë dhe protestuesve.
Reagimi i Ramës e vendos këtë përballje në kontekstin e propagandës ruse dhe të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Personi të cilit i referohet Rama është Chay Bowes, shtetas irlandez dhe bashkëpunëtor i televizionit rus RT, i njohur më parë si Russia Today.
Më 16 nëntor, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian miratuan përfshirjen e tij në listën e sanksioneve, duke e akuzuar për përhapjen e dezinformimit në mbështetje të politikave të Kremlinit.
Sipas vendimit europian, Bowes ka drejtuar emisionin “Moscow Mules” në RT dhe ka bashkëthemeluar rrjetin “The Islander News”, të cilin BE-ja e lidh me përhapjen e dezinformimit prorus.
Masat ndaj tij përfshijnë ngrirjen e aseteve që mund të ketë në Bashkimin Europian, ndalimin e hyrjes në vendet anëtare dhe ndalimin e transferimit të fondeve nga qytetarët apo bizneset europiane.
Sanksionimi i Bowes konfirmohet edhe nga gazeta irlandeze “The Irish Times”, e cila ka raportuar vendimin e marrë këtë të hënë në Bruksel.






