
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me presidentin e Këshillit Europian, António Costa, në Bruksel, ku mori pjesë edhe në Forumin e Dytë të Zgjerimit të Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së tij në forum, Rama kritikoi politikën e BE-së për vonesat në procesin e zgjerimit, duke kujtuar periudhën kur Shqipëria mbeti e bllokuar për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Politika e BE-së shpesh na zhgënjen. Nuk do t’i kthehem kohës së poshtërimit, tre vjet, falë vendit të kolegut tim këtu”, deklaroi Rama.
Kryeministri kërkoi më shumë vendosmëri politike nga institucionet europiane, duke sjellë si shembull ish-kancelarin gjerman Helmut Kohl dhe ribashkimin e Gjermanisë.
“Ajo çfarë shpresoj dhe për të cilën lutem është që sot Europa të gjejë momentin e saj Helmut Kohl”, u shpreh ai.
Rama theksoi se ka ardhur koha që vendet kandidate të përfshihen më drejtpërdrejt në proceset europiane.
“Besoj se ka ardhur koha që Komisioni Europian, Këshilli dhe BE-ja t’i sjellin këta të shtatë dhe t’i ulin përreth tryezës”, deklaroi kryeministri.
Vizita në Bruksel dhe pjesëmarrja në forum zhvillohen në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim.






