Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar 9 drejtues mjetesh, ka proceduar penalisht 21 të tjerë dhe ka ndëshkuar 4384 shkelje të rregullave të qarkullimit gjatë kontrolleve të ditëve të fundit në kryeqytet. Mes të arrestuarve është edhe një drejtues motomjeti që kreu manovra të rrezikshme në sheshin “Skënderbej”, gjatë zhvillimit të Maratonës së Tiranës.

Sipas policisë, drejtuesi i motomjetit ishte pa leje drejtimi dhe nën efektin e lëndëve narkotike, kur u konstatua duke kryer manovra që rrezikonin sigurinë rrugore në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit.

Tetë personat e tjerë të arrestuar dhe 21 drejtuesit e proceduar penalisht u konstatuan duke drejtuar automjete nën efektin e alkoolit.

Kontrollet janë zhvilluar në rrugët kryesore të Tiranës, në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe pranë institucioneve arsimore, ku policia ka përqendruar vëmendjen te siguria e nxënësve dhe respektimi i përparësisë së tyre në qarkullim.

Nga 4384 shkeljet e konstatuara, numrin më të madh e zënë parkimet dhe qëndrimet e gabuara të automjeteve. Konkretisht, 3780 drejtues janë ndëshkuar për ndalim, pushim ose qëndrim të gabuar, ndërsa 159 të tjerë për pozicionim të parregullt në korsi.

Një tjetër problem mbetet përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit. Policia ka ndëshkuar 103 drejtues për përdorimin e celularit në timon.

Gjithashtu, 123 drejtues janë gjobitur për mosvendosjen e rripit të sigurimit, ndërsa 176 drejtues motomjetesh për mosmbajtjen e kaskës mbrojtëse.

Gjatë operacionit janë bllokuar edhe 43 mjete.

Policia Rrugore bën të ditur se monitorimi është kryer me mjete bashkëkohore dhe do të vijojë në akset kryesore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për drejtuesit e automjeteve, këmbësorët dhe nxënësit.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit dhe të mos drejtojnë automjete nën ndikimin e alkoolit apo lëndëve narkotike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu