
Më 13 nëntor, Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE shqyrtoi qëndrimet e përbashkëta europiane për tre kapituj që lidhen me Shqipërinë: Kapitullin 6 për të drejtën e shoqërive tregtare, Kapitullin 7 për pronësinë intelektuale dhe Kapitullin 13 për peshkimin dhe akuakulturën.
Përgjigjja e institucioneve europiane ndaj interesimit të A2 CNN tregon se procesi nuk ka avancuar me të njëjtin ritëm për të tre kapitujt.
Për Kapitullin 7 është regjistruar njëfarë progresi, pasi pothuajse një e katërta e vendeve anëtare të BE-së kanë dhënë miratimin e tyre. Megjithatë, për dy kapitujt e tjerë, 6 dhe 13, situata mbetet më e vështirë: deri tani asnjë shtet anëtar nuk ka dhënë miratimin.
Delegacioneve të vendeve anëtare u është kërkuar të paraqesin komente shtesë për të tre projektqëndrimet e përbashkëta. Presidenca e Këshillit të BE-së pritet të paraqesë gjatë ditëve në vijim versione të rishikuara të teksteve të kompromisit, me synimin për të afruar qëndrimet e shteteve anëtare.
Pasiguria shtrihet edhe te data e Konferencës së ardhshme Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Brukseli ka bërë të ditur se, nëse arrihet progres i konsiderueshëm gjatë javëve të ardhshme, Presidenca mund të synojë datën 15 dhjetor, kur është parashikuar mbledhja e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së.
Megjithatë, institucionet europiane paralajmërojnë se kjo datë mbetet tepër ambicioze dhe se aktualisht është shumë herët për të bërë një parashikim të sigurt.
Kjo do të thotë se zhvillimet e javëve të ardhshme dhe arritja e konsensusit mes vendeve anëtare do të jenë vendimtare për kalendarin e mëtejshëm të negociatave.
Sipas udhërrëfyesit të publikuar në nëntor nga Komisioni Europian, Shqipëria synon të mbyllë përkohësisht gjashtë kapituj të tjerë deri në fund të vitit 2026, mes tyre edhe tre kapitujt që po diskutohen aktualisht.
Shqipëria i ka hapur të 33 kapitujt e negociatave, por deri tani ka mbyllur përkohësisht vetëm katër prej tyre. Mbyllja më e fundit u realizua më 13 tetor 2026 dhe përfshinte Kapitullin 20, për politikat e ndërmarrjeve dhe industrisë.
Për të realizuar objektivin e përfundimit të negociatave deri në fund të vitit 2027, Shqipërisë i mbeten edhe 29 kapituj për t’u mbyllur përkohësisht. Komisioni Europian thekson se kalendari është orientues dhe varet nga përmbushja e reformave dhe miratimi i vendeve anëtare.






