
Biznesmeni shqiptar Samir Mane ka paralajmëruar zgjerimin e rrjetit “Jumbo” në gjashtë vende të reja jashtë kufijve të Europës, duke e cilësuar këtë si një kapitull të ri të bashkëpunimit me kompaninë greke “Jumbo S.A.”.
Në një postim në rrjetet sociale, Mane tha se partneriteti me Apostolos Vakakis ka nisur prej më shumë se 15 vitesh dhe është ndërtuar mbi besim, respekt reciprok dhe ambicie të përbashkëta.
“Çfarë nisi si një partneritet i suksesshëm në rajonin tonë, tani po zgjerohet edhe më tej”, shkroi Mane.
Aktualisht, “Jumbo” është e pranishme në Shqipëri, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Moldavi, ndërsa sipas kreut të BALFIN Group, tashmë synohet hyrja në gjashtë tregje të reja jashtë Europës.
View this post on Instagram
Mane theksoi se zgjerimi i ri pasqyron jo vetëm forcën e bashkëpunimit mes BALFIN Group dhe “Jumbo”, por edhe besimin e krijuar ndër vite mes palëve.
“Ky kapitull i ri reflekton besimin që kemi ndërtuar së bashku dhe bindjen tonë të përbashkët për potencialin e këtyre tregjeve të reja”, deklaroi ai.
Deri më tani nuk janë bërë publike vendet ku pritet të zgjerohet rrjeti “Jumbo”.






